Sa u besoni anketave që nxjerrin fitues VMRO-në dhe BDI-në?

Arben Imeri
Rasti i zgjedhjeve në Kroaci, është rasti më i freskët në rajonin tonë që tregoi se anketat gabuan rëndë rezultatin zgjedhor. Jo që nuk fitoi partia SDP, e cila udhëhiqte në të gjitha anketat, por ajo pësoi humbjen më të rëndë prej HDZ-së që nga themelimi.
Unë, si shqiptar që jetoj gjatë kohë në Kroaci, pas këtyre zgjedhjeve erdha deri te disa konstatime.

1. Konstatimi im i parë është se qytetarët në Ballkan ende nuk dëshirojnë t’i shprehin bindjet e tyre politike para tjerëve, e kjo është për shkak se ende ekziston hakmarrja politike. Nëse në Kroaci ekziston në dozë të caktuar ende kjo dukuri, për në Maqedoni nuk kemi nevojë të flasim.

2. Konstatimi im i dytë është se në Ballkan anketat janë bë biznes profitabil. Mendoj se partitë të cilat vërejnë se humbjen në zgjedhje e kanë të paevitueshme, u kthehen anketave duke dhënë para të majme për manipulimin e tyre. Kur nuk kanë asnjë përkrahje nga qytetarët, kërkojnë përkrahje nga anketat e kurdisura, me qëllim të shpëtojnë atë që mund të shpëtohet.

Këtë përshtypje e kam edhe për anketat në Maqedoninë e Veriut në prag të zgjedhjeve, e veçanërisht atyre që nxjerrin fitues VMRO-DPMNE-në dhe BDI-në. Sa mund të ju besohet këtyre anketave? Të besosh në fitoren e dy partive që 10 vite ndërtuan një regjim të përbashkët është sikur të besosh në mrekulli mbinatyrore. Maqedonia e Veriut dhe disponimi i qytetarëve të saj është futur në dinamikë e cila lëviz drejt Brukselit, një drejtim krejt kundër atij që lëvizte regjimi VMRO-BDI. Prandaj duket krejtësisht e pabesueshme që sot qytetarët të përkrahin këtë opsion. Si ti besojmë një ankete që në vitin 2016 parashikonte 65 deputetë për VMRO-DPMNE-në, e 22 deputetë për BDI-në? Kësaj pune sipas mendimit tim më shumë i vjen era biznes, se sa era anketë? Do të bindeni më 15 korrik, ashtu siç u bindën kroatët në zgjedhjet e para dy ditëve më 5 korrik. Kuptohet edhe ne shqiptarët e Kroacisë do të jemi në vendlindje bashkë me ju për të festuar ndryshimin.