Rusia në Mitrovicë, Serbia në Kuvend dhe Turqia në aeroport: mirëseardhje me ftesë të pushtetit të Kosovës.

Rusia në Mitrovicë, Serbia në Kuvend dhe Turqia në aeroport: mirëseardhje me ftesë të pushtetit të Kosovës.

Gjendja e sigurisë është kjo: NATO-ja ruan tërësinë tokësore të Kosovës pa kurrfarë ndryshimi fondamental në misionin dhe kapacitetin për ta bërë këtë. Nga perspektiva e NATO-s dhe çfarëdo analize objektive, Kosova nuk rrezikohet nga ndonjë agresion i armatosur nga jashtë apo brenda vendit.

Gjendja e sigurisë është edhe kjo: Rusia gjendet në urën e Mitrovicës, Turqia në sallonin VIP të Aeroportit të Prishtinës e Serbia në Kuvendin e Kosovës.

Si është e mundur kjo? Si është e mundur që NATO-ja ta ruajë tërësinë tokësore të vendit , por tri vende në formë aktive të shkelin mbi atë sovranitet të cilin e ruan NATO-ja?

Përgjigjja është e thjeshtë: NATO-ja mund ta ruajë tërësinë tokësore të Kosovës, por nuk ka mision ta administrojë atë. Administrimin civil e bëjnë kosovarët, andaj edhe ujku, apo ujqit kanë hyrë në torishtë.

Rusia gjendet në urën e ndarë të Mitrovicës pa nevojë shpenzimi material apo njerëzor. Ndarjen e Mitrovicës e bënë së bashku komandantët shkurtpamës të UÇK-së dhe forcat e riorganizuara serbe në veri të vendit. Vizatimi i vijave të mundshme ndarëse mes shqiptarëve e serbëve ishte bërë më moti, dhe kjo ishte pjesë e doktrinës që doli nga zhbërja e Bashkimit Sovjetik, ai i të drejtës së rusëve (dhe serbëve) për të qenë në një shtet, apo të drejtës që të mos jenë të sunduar nga shumicat që nuk janë ruse. Veriu i Kosovës është për Moskën i njëjtë gjeopolitikisht si Abkhazia, Osetia e Donbasi i Ukrainës.

Rusia e mban urën e Mitrovicës me ndihmën e Serbisë. Serbia e mban urën e Mitrovicës si pjesë të bisedimeve që zhvillon me Kosovën. Kosova ka pranuar që për urën e Mitrovicës -dhe çdo gjë tjetër që ka të bëjë me Kosovën, territorin dhe banorët e saj – të bisedojë me Serbinë. Bisedimet nuk kanë as cak e as afat. Mund të vazhdojnë sa të ketë tema dhe ftesë për të biseduar. Mund të vazhdojnë derisa të ketë diplomatë evropianë që ndërrohen në pozitat e tyre dhe bëhen ndërmjetës, me shpresën e fshehtë se do ta fitojnë çmimin “Nobel” për paqe.

Çfarëdo që të merren vesh Serbia dhe Kosova , shpresohet (nga BE-ja dhe Kosova) se do të marrë pëlqimin e Rusisë, që në fund, si anëtare me të drejtë vetoje në Këshillin e Sigurimit të OKB-së t’i japë një status që Rusia mendon se Kosova e meriton. Çka mendon Rusia e di vetëm Rusia.Veton S