Rusia ka kryer krime kundër njerëzimit, thotë SHBA-ja

SHBA-ja ka “përcaktuar zyrtarisht” se Rusia ka kryer krime kundër njerëzimit në Ukrainë, ka thënë zëvendëspresidentja e SHBA-së, Kamala Harris.

Duke folur në Konferencën e Sigurisë në Mynih, Harris akuzoi Rusinë për “akte të tmerrshme të vrasjes, torturës, përdhunimit dhe dëbimit” që nga pushtimi i saj.

Ambasadori i Moskës në SHBA hodhi poshtë pretendimet dhe akuzoi Harrisin për përpjekje për të “demonizuar Rusinë”.

Udhëheqësit botërorë në konferencë bënë thirrje për mbështetje afatgjate të Ukrainës.

Kryeministri i Mbretërisë së Bashkuar Rishi Sunak tha se tani ishte koha për të “dyfishuar” mbështetjen ushtarake, raporton BBC, transmeton Klankosova.tv.

Ai argumentoi se aleatët perëndimorë duhet të fillojnë të planifikojnë për sigurinë e ardhshme të Ukrainës, si dhe të dërgojnë armët që i nevojiten për të mbrojtur veten tani.

Konferenca në Gjermani vjen pasi afrohet njëvjetori i pushtimit të plotë të Ukrainës nga Rusia më 24 shkurt.

Harris u tha delegatëve se autorët e krimeve të dyshuara ruse në Ukrainë duhet të mbajnë përgjegjësi.

“Veprimet e tyre janë një sulm ndaj vlerave tona të përbashkëta dhe njerëzimit tonë të përbashkët,” tha ajo.

OKB-ja i përkufizon krimet kundër njerëzimit si një “sulm i përhapur ose sistematik” ndaj një popullsie të caktuar civile.

Moska ka mohuar në mënyrë të përsëritur të ketë shënjestruar civilët gjatë pushtimit të saj.

Anatoli Antonov, ambasadori i Rusisë në SHBA, tha se pretendimet e zëvendëspresidentes amerikane ishin një përpjekje cinike për të “demonizuar Rusinë në rrjedhën e një lufte hibride”.