Rusia ka humbur 76 aeroplanë pasagjerësh për shkak të sanksioneve perëndimore

Ministri rus i Transportit, Vitaliy Savelyev deklaroi se Rusia ka humbur mbi 70 aeroplanë që nga nisja e pushtimit të Ukrainës.

Savelyev ka bërë disa vlerësime për sektorin e aviacionit rus gjatë një takimi me gazetarët në kryeqytet, Moskë.

Duke vënë në dukje se kompanitë ruse të linjave ajrore janë në gjendje të mirë, Savelyev tha se ata do të ofrojnë 25 miliardë rubla (rreth 280 milionë dollarë) subvencione për avio-kompanitë.

Duke vlerësuar sanksionet e vendosura nga vendet perëndimore kundër avio-kompanive ruse vitin e kaluar, Savelyev tha se “ne u kapëm të papërgatitur. Ne humbëm gjithsej 76 aeroplanë pasagjerësh që ishin në hangare për shkaqe teknike. Ata fjalë për fjalë i konfiskuan ato”, tha ai.

Savelyev vuri në dukje se shteti rus aktualisht ka në dispozicion 1167 aeroplanë pasagjerësh, raporton haberler.

SHBA dhe Bashkimi Evropian filluan të vendosin sanksione ndaj industrisë ruse të aviacionit pas luftës në Ukrainë.