Forcat ruse kanë instaluar raketahedhës të shumtë në centralin bërthamor të Ukrainës, Zaporizhzhia. Sipas zyrtarëve ukrainas, kjo gjë bëhet me qëllim për të rritur frikën se termocentrali më i madh atomik në Evropë mund të përdoret si bazë për të qëlluar në territorin ukrainas dhe për të rritur rreziqet nga rrezatimi.
Kompania bërthamore e Ukrainës Energoatom, tha se forcat ruse që pushtuan centralin kanë vendosur disa raketa-hedhës të shumëfishtë Grad, pranë një prej gjashtë reaktorëve të saj bërthamorë. Sipas Energoatom, sistemet sulmuese janë të vendosura në strukturat e reja mbrojtëse që rusët ndërtuan fshehurazi, në shkelje të të gjitha kushteve për sigurinë bërthamore dhe rrezatuese.
Edhe pse rreziku i një shkrirjeje bërthamore është reduktuar shumë për shkak se të gjashtë reaktorët janë mbyllur, ekspertët kanë thënë se një lëshim i rrezikshëm i rrezatimit është ende i mundur.