Rusia i jep 500 mln dollarë kredi Bjellorusisë

Ndërsa Perëndimi po zgjeron sanksionet ndaj Bjellorusisë për skandalin me devijimin e një avioni dhe arrestimin e një gazetari opozitar, Rusia i ka konfirmuar mbështetjen e patundur presidentit Aleksandër Lukashenko.

Lukashenko dhe homologu rus, Vladimir Putin, vijuan ditën e dytë të samitit në Soçi.

Takimin e fundjavës, dy aleatët e zhvilluan në mënyrë më informale, duke u shkëputur për disa momente për një lundrim me jaht.

Në tryeza u shtruan edhe çështjet ekonomike dhe pandemia, për të cilat Kremlini ofroi 500 milionë dollarë kredi për autoritetet bjelloruse, si pjesë e paketës 1,5 miliard dollarë që u premtuan për ta stabilizuar Misnkun pas protestave antiqeveritare të vitit të shkuar.

Ndërkohë në kryeqytetin bjellorus dhe në Poloni qytetarët mbajtën demonstrata në solidaritet me gazetarin e arrestuar, Roman Protaseviç dhe për partneren e tij, Sofia Sapega, një shtetase ruse.

Të dy u ndaluan në Bjellorusi pasi po fluturonin nga Greqia drejt Lituanisë, por me urdhër të presidentit bjellorus avioni i tyre doli nga itinerari.

Ata akuzohen për orkestrim trazirash, ndërsa Protaseviçi rrezikon 15 vite burg.

“Senati i Republikës së Polonisë e gjykon korrekt vendimin e Këshillit Europian për të shtuar sanksionet ndaj regjimit të Lukashenkos. Por ato duhet të jenë vetëm hapi i parë i një strategjie rezistence ndaj represionit bjellorus. Hapi tjetër duhet të jenë sanksionet personale duke nisur me ambasadorët e regjimit,” tha Marcin Bosacki.

“Askush nuk e mendon realisht Lukashenkon si politikan. Të gjithë e mendojnë si dikushi, si një terrorist dhe bashkë me të, Bashkimi Europian duhet të miratojë sanksione të forta edhe ndaj Putinit që e mbështet me para, para të cilat u shkojnë forcave që terrorizojnë bjellorusët,” tha një student.

Edhe në Europë, në SHBA e deri në Australi u organizuan protesta në përkrahje të opozitarëve që përndiqen nga organet bjelloruse.

Liderët e opozitës thonë se presin ndryshime së shpejti, dhe nuk shohin zgjidhje tjetër përveç mbajtjes së zgjedhjeve të reja.