Rusia faktor i rëndësishëm për njohjen e Kosovës!?

Shkruan: Mahi Nesimi, politolog, publicist dhe ish ambasador

Historiku i pavarësimit të Kosovës dhe çdo gjë që e karakterizoi atë, duke përfshirë edhe bombardimet e NATO-s ndaj Serbisë tashmë i janë të njohura çdokujt, posaçërisht shqiptarëve. Çdo gjë u është e njohur edhe serbëve. Njohuritë e popujve tjerë të Ballkanit nuk janë të plota meqë interesimi i tyre ka shkuar dhe shkon deri te mundësia e përkeqësimit të raporteve shqiptaro-serbe dhe shpërthimi i një konflikti me përmasa rajonale, po dhe më gjërë.
Nisur nga e kaluara e kësaj pjese të Ballkanit, lehtësisht konstatohet se epiteti i Ballkanit si „fuçi baroti” edhe mëtutje është i pranishëm sepse problemet që e karakterizuan gjatë mbarë shekullit të kaluar ende janë të pazgjidhura. Të pazgjidhura kanë mbetur raportet shqiptaro-serbe, gjegjësisht njohja e pavarësisë së Kosovës nga ana e Serbisë. Përpjekja e shqiptarëve për t’u shkëputur nga ndikimi serb si duket po bëhet e paaritshme edhe pas një shekulli.
Me ndërhyrjen e forcave të NATO-s dhe dëbimin e Serbisë prej territorit të Kosovës, u krijuan të gjitha parakushtet për pavarësimin e shtetit të Kosovës dhe shpalljen e saj për shtet sovran, që ndodhi 8 vjet më vonë. Por sherri i madh dhe ndërkëmbëzat Kosovës iu vunë qysh gjatë largimit të forcave të Serbisë. Ishte kjo si pasojë e stacionimit të forcave ruse në pjesën veriore të Kosovës, ku dominon popullata me përkatësi etnike serbe. Atëherë e sot Rusia (në heshtje) është bërë faktor tepër i rëndësishëm i zgjidhjes së kontestit ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.
Duke filluar nga çlirimi i Kosovës (1999), shpallja e pavarësisë (2008) e deri në ditët e sotme, udhëheqjet shtetërore të Kosovës nuk bënë një vlerësim real të fuqisë diplomatike të Rusisë dhe veprimit të saj në krijimin e rrethanave që do të vështirësojnë jetësimin dhe funksionimin e Kosovës si shtet i pavarur dhe sovran në mbarë territorin e saj. Rrënjët e kësaj neglizhence duhet kërkuar në besimin skajshmërisht bindës në mbështetjen e Shteteve të Bashkuara të Amerikës për përmbushjen e dëshirave të shqiptarëve lidhur me pavarësinë e Kosovës. Është e padiskutueshme se ky besim i madh kishte bazë reale, sepse në të gjitha rastet e duhura qëndrimi i ShBA-ve ishte i prerë dhe transparent, duke mos lënë shteg dyshimi për vendosmërinë e jetësimit të pavarësisë dhe sovranitetit të Kosovës.
Dihet se që në ditët e përfundimit të luftës, pa pëlqimin e NATO-s ushtarët e Rusisë zbarkuan në aeroportin e Prishtinës, duke bërë me dije se popullata e pjesës veriore të Kosovës (lexo serbët) do të jetë nën përkujdesjen e saj. Kjo ngjau shumë shpejt meqë popullatës së Mitrovicës Jugore iu ndalua kalimi i urës së qytetit. Ngjarjet e mëtutjshme, posaçërisht ato të 17 marsit 2004 sinjalizonin për vështirësitë jo të vogla që do të paraqiten në jetësimin e pavarësisë. Kur në shkurt 2008 deputetët e Kuvendit të Kosovës shpallën pavarësinë, institucionet dhe strukturat e vendit nuk ushtronin pushtetin në pjesën veriore të Mitrovicës, por flitej për struktura paralele. Në fakt ato ishin struktura të vetme sepse në atë pjesë nuk funksiononin strukturat shtetërore të Kosovës.
Shpallja e pavarësisë tronditi skenën politike në Serbi
Gjatë gjithë kësaj kohe (deri më sot) duket se udhëheqjet shtetërore të Kosovës pak kanë analizuar ndodhitë politike në Serbi. Menjëherë pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës skena politike në Serbi përjetoi ndryshime të theksuara. Dy figurat qendrore të Partisë Radikale të Voisllav Sheshelit, Nikoliqi dhe Vuçiqi u shkëputën nga Shesheli dhe formuan Partinë Përparimtare Serbe. Por si duket, Rusia tashmë e kishte ndarë mendjen për t’u bërë faktor i rëndësishëm i politikës serbe në Serbi. Kështu, më 15 shtator 2011, ambasadori i Rusisë në Beograd Aleksandar Konuzin, nga foltorja e Forumit ndërkombëtar për siguri, në prani të shumë ministrave të jashtëm, i drejtoi kritika të ashpra udhëheqjes serbe, për shkak se sipas tij, udhëheqja serbe nuk interesohet për serbët në Kosovë, duke shtruar me nervozë të theksuar pyetjen: „A ka në këtë sallë serbë?”. Mandej e lëshoi sallën në mënyrë demonstrative. Paraqitja e këtillë nuk hasi në miratim nga kabineti i kryetarit Tadiq. Por në mitingjet e opozitës ambasadori vazhdoi me kritika ndaj pushtetarëve. Ngjarjet që pasuan katërcipërisht dëshmuan se paraqitja e Konuzinit ishte mesazh drejtuar serbëve për nevojën e ndryshimit të udhëheqjes. Pas 7 muajve, më 6 maj 2012, përveç zgjedhjeve parlamentare Tomisllav Nikoliqi dhe Aleksandar Vuçiqi e fituan edhe postin e kryetarit të Serbisë dhe Vuçiqi u zgjodh ministër i mbrojtjes. Të vetëdijshëm për simpatitë e popullatës serbe për Rusinë dhe rolin që ajo mund ta luajë në skenën ndërkombëtare, udhëheqja serbe i intensifikoi marrëdhëniet më Rusinë, posaçërisht ato ekonomike.
Gjatë viteve që në Serbi erdhi deri te ndryshime të udhëheqjeve, skena politike e Kosovës dominohej nga udhëheqja e PDK-së dhe Hashim Thaçi. Ndryshimet që ndodhën me kryetarët e shtetit: Fatmir Sejdiu, Bexhet Pacolli, Atifete Jahjaga për arsye të ndryshme nuk demonstruan kapacitete për të dinamizuar politikën e jashtme.
Të prirur për të zbatuar qëndrimet e ShBA-ve dhe për të pranuar rekomandimet e amerikanëve, nomenklatura shtetërore e Kosovës i shtriu këmbët gjërë e gjatë duke i mbajtur veshët te ajo që përshpëritej në Vashington, por jo gjithaq edhe në Bruksel. Administrata e Barak Obamës, për fat të keq nuk u preokupua siç duhet me çështjen e Kosovës. Në ndërkohë Rusia aneksoi Krimenë, me çka përpjekjet për njohjen e Kosovës hynë në një hulli edhe më të vështirë. Punët morrën kahje jo të mirë me faktin se shtetet perëndimore nuk u preokupuan me njohjen e Krimesë. Në krye të valles së mosnjohjeve qëndronte ShBA-ja. Por kjo nuk i shkonte për shtati Kosovës sepse ashpërsimi i raporteve ShBA-Rusi për shkak të Krimesë do të thotë përforcimi i qëndrimit anti-Kosovë i Rusisë. Me këtë rast sheshazi hetohet qëndrimi kalkulant i Serbisë duke qëndruar ndërmjet perëndimit dhe Moskës. Serbia, ashtu si shtetet evropiane, nuk e njeh aneksimin e Krimesë meqë në atë rast nuk mund të arsyetojë qëndrimin kundër Kosovës. Megjithatë, Serbia asnjëherë nuk ka miratuar vendimet e BE-së për vënien e sanksioneve kundër Rusisë. Pra kemi të bëjmë me një politikë skajshmërisht të interesit.
Fati i politikanëve të Kosovës në duar të amerikanëve, i Serbisë në duar të rusëve
Pavarësisht se nga kush u nxit dhe si u zhvilluan punët, viteve të fundit morrën hov thashethemet se bisedimet Kosovë-Serbi po hyjnë në një fazë që paralajmëron finalizimin e tyre. Ky dinamizim doli edhe si pasojë e dëshirës së Presidentit të ShBA-ve Donalld Tramp që bisedimet të përfundojnë gjatë këtij viti, respektivisht para zgjedhjeve në ShBA. Në funksion të realizimit të këtij synimi administrata e Trampit madje bëri edhe disa lëvizje kadrovike që në Kosovë shkaktuan reagime të nduarduarta, duke shkaktuar edhe tronditje jo të vogla në skenën politike. Nisur nga e kaluara e largët po edhe më e afërt, opinioni në Kosovës jeton në bindje të thellë se çfarëdo vendimi që amerikanët e marrin për Kosovën ai është në të mirë të shqiptarëve.
Megjithatë, deklaratat e disa zyrtarëve amerikanë lidhur me rezultatin përfundimtar të bisedimeve thellë i trazuan shpirtrat e shqiptarëve, duke ngjallë frikën se mund të vijë deri te ndarja e Kosovës ose shkëmbimi i territoreve, me ç’rast Kosova mund të del vetëm e humbur.
Në vazhdën e këtyre paqartësive, me qëllim të demonstrimit të sovranitetin shtetëror të Kosovës, kryeministri Ramush Haradinaj tarifat doganore të mallrave të Serbisë dhe Bosnjës i ngriti në qindpërqind, duke bërë një hap që thuajse askush nuk e mbështeti. Amerikanët kërkuan heqjen e tarifës por kjo nuk ndodhi. Ky qëndrim duket se ishte një nga shkaqet e rënies së qeverisë së tij, edhe pse ai dha dorëheqje për arsye tjera. Rënia e qeverisë së Albin Kurtit po kështu mund të lidhet me punën e tarifës. Madje kjo në forma të ndryshme u dëgjua edhe me rastin e debatit për votëbesim të qeverisë.
Si përfundim, nuk është larg së vërtetës se fati i politikanëve të Serbisë është në duart e Rusisë, ndërkaq ai i politikanëve të Kosovës në duart e amerikanëve. Shtrohet pyetja: si është e mundur që për fatin e Kosovës të vendoset jashtë Bashkimit Evropian, kur dihet se Kosova dhe Serbia si angazhim parësor e kanë inkuadrimin në BE. Kohëve të fundit, për fat të keq, politikanët e Kosovës duket se po marrin anë, duke garuar për t’u paraqitur si më pro-pro etj. që nuk shkon në favor të Kosovës, sepse asaj i duhet edhe Vashingtoni edhe Brukseli.
Shumëkush mendon se me emërimin e zyrtarëve të lartë amerikanë për të udhëhequr procesin e bisedimeve Kosovë-Serbi procesi do të dinamizohet. Por, këto të pritura janë shumë larg nga arritja e marrëveshjes për njohje reciproke. Arsyet janë të shumta dhe drejtpërdrejtë ndërlidhen me atë që do të ndodhë në Kosovë dhe Serbi.
Shprehja e mosbesimit qeverisë së Albin Kurtit gjithsesi do të sjell deri te zgjedhje të reja, sepse çfarëdo qoftë qeverie të formohet, mandati i saj nuk do të shkojë deri në fund të mandatit të këtij parlamenti. Zgjedhje parlamentare do të mbahen edhe në Serbi (u anuluan shkaku i virusit korona). Varësisht nga rezultati i zgjedhjeve në Serbi (duket se ato sërish do t’i fitojë pushteti i tanishëm) punët edhe mund të çojnë deri në acarimin e skenës politike që do të nxitej nga opozita serbe.
Në maj të vitit 2022 Vuçiqi do të gjendet në garë për mandatin e dytë. I vetëdijshëm për ndikimin e Rusisë në popullatën e Serbisë, Vuçiqi nuk do të ndërmerr asgjë që vjen në kundërshtim me politikën ruse në ballkan. Synimet e Rusisë në Ballkan mjaft mirë i ka përshkruar kolumnisti rus Maksim Samorukov në portalin analitik „Carnegie.ru” ku shprehet: „Gjithnjë e më shumë bëhet e qartë se Rusia nuk dëshiron që të zgjidhet problemi (fjala është për çështjen e Kosovës). Përderisa Serbia nuk e njeh zyrtarisht pavarësinë e Kosovës, mbështetjen e sheh te e drejta e Rusisë për të përdorur veton në Këshillin e Sigurimit të OKB-së. Kjo varshmëri e fuqizon Rusinë, si në Serbi poashtu edhe në rajon. Kremlini ka frikë se me përfundimin e konfliktit Serbi-Kosovë ky ndikim do të humb si në Serbi ashtu edhe në rajon”. Sa i përket lidhjeve serbo-ruse dhe ndikimit të Rusisë në Serbi, mjafton të përmendet fakti se vizitat e ndërsjella serbo-ruse janë aq të shpeshtuara saqë është bërë e vështirë të mbahet evidencë e saktë. Vuçiqi thotë se me Putinin është takuar 17 herë. Njëherit, takimet e zyrtarëve të lartë të dy vendeve shënojnë rritje jo të vogël. Madje ato qëllimisht më shumë realizohen në Serbi për të bërë ndikimin te popullata dhe opinioni i Serbisë. E dhëna se politikani më i lartë i Serbisë që për herë të fundit është takuar me presidentin e ShBA-ve është Zoran Xhinxhiqi, është dëshmi e fuqishme për të ndërtuar qëndrimin rreth raporteve Serbi-ShBA dhe Serbi-Rusi.
Bisedime të gjata e të mundimshme
Deklarimet publike të diplomacisë amerikane për nevojën e dinamizimit (ose përshpejtimit) të zgjidhjes së problemit Kosovë-Serbi u përcollën edhe me lëvizje të kuadrove, ambasadorëve të ShBA-ve dhe Rusisë në Beograd që ndodhi në tetor, respektivisht qershor të vitit të kaluar. Lidhur me bartësit e diplomacisë amerikane dhe ruse në Serbi (Entoni Grodfi-ShBA dhe Aleksandar Bokan-Harçenko-Rusi) hetohet përcaktimi për kuadro me përvojë të shkëlqyer diplomatike dhe njohuri shumë të mira për rajonin që vërehet nga biografitë e tyre.
Por aty përnjëherë bie në sy se diplomati rus thuajse mbarë karierën diplomatike e ka kaluar me çështjet e Ballkanit, gjegjësisht të ish-Jugosllavisë, duke qenë pjesëmarrës i drejtpërdejtë në bisedime ku janë sjellë vendimet më të rëndësishme dhe me karakter historik. Harçenko ka qenë përfaqësues i Rusisë në grupin e kontaktit. Pjesëtar i grupit ndërmjetësues për bisedimet Kosovë-Serbi, së bashku më diplomatin gjerman Volfgang Ishinger si përfaqësues i BE-së dhe Frenk Vizner përfaqësues i ShBA. Anëtar i delegacionit rus në bisedimet e Dejtonit. Njeri i dytë i ambasadës ruse në Zagreb, ambasador i Rusisë në Bosnjë etj.
Fakti se Sllovakia është shtet i BE-së që nuk e ka njohur pavarësinë e Kosovës ishte i mjaftueshëm që emërimi i diplomatit sllovak Mirosllav Lajçek si përfaqësues i Bashkimit Europian për udhëheqës të bisedimeve Kosovë-Serbi që opinioni në Kosovës të shpehë rezerva jo edhe të vogla. Mosnjohja e Kosovës nga shteti i tij apriori nuk duhet llogaritur si hendikep. Çështja thelbësore në këtë rast është përvoja dhe aftësitë e Lajçakut për të udhëhequr një proces aq serioz, ku ndërlidhen interesa të shumta edhe strategjike të subjekteve që do të jenë pjesëmarrës në bisedime. Përvoja e deritanishme e këtij diplomati në çështjet me karakter ndërkombëtar nuk rezulton të ketë qenë gjithaq pozitive. Prandaj që tani duhet llogaritur me stërgjatjen e bisedimeve, sepse sipas ambasadorit Harçenko “tash për tash Rusia nuk i sheh të gjitha parakushtet e domosdoshme për bisedime efikase”. Madje ai shpreh mendimin se bisedimet duhet kthyer në bazë të Rezolutës 1244.
Vlen të theksohet se ka kohë që në fjalorin politik të udhëheqjes shtetërore serbe, kur bëhet fjalë për Serbinë në përdorim të shpeshtë është termi Serbia Qendrore që sinjalizon angazhimin për zgjerim të territorit. Ekipi bisedues i Kosovës është e nevojshme të regjistrojë çdo gjë që ndodh në Serbi e që mund të jetë me rëndësi për bisedimet. Andaj, bisedimet me karakter kaq të madh duhet përgatitur mirë e gjatë nga ekspertë me përvojë që do të ndërtojnë strategjinë e bisedimeve dhe rrjedhën e tyre hap pas hapi dhe ndodhi pas ndodhie. Këtë punë nuk mund ta bëjnë politikanët aktivë. Në këtë rast politikanët kanë vetëm rolin protokolar dhe njohtimin e qëndrimit të palës së vet lidhur me çështje konkrete të bazuar në mendimin e ekspertëve. Çdo veprim tjetërfare i politikanëve mund vetëm të dëmtojë rrjedhën e procesit dhe palën e vet.
Të mos harojmë se diplomacia ruse është e njohur për shfrytëzim mjeshtëror të të gjitha taktikave dhe ndërkëmbëzave që në këto raste bollshëm vihen në përdorim. Diplomacia ruse përvojat e veta me gatishmëri të madhe rast pas rasti do t’ia përcjell palës serbe.