Rusia armatos Serbinë, rajoni dhe Kosova në rrezik

Furnizimi i shteti serb me arsenal armësh nga Rusia për ekspertët e sigurisë në Kosovë po shihet si kërcënim për rajonin, e në veçanti rrezik për agresion ndaj Kosovës. Prandaj ata kërkojnë që institucionet kosovare të rrisin investimet në infrastrukturën e mbrojtjes.

Javë më parë shteti serb ka marrë si donacion nga Rusia tanke të tipit T-72, kurse donacioni përfshin edhe gjashtë aeroplanë luftarakë MiG-29 dhe 30 automjete të blinduara zbulimi BRDM-2.

Nuredin Ibishi, njohës i rrethanave të sigurisë, ka thënë për KosovaPress se furnizimi me këto armë Serbinë e bënë të jetë kërcënim fillimisht për Kosovën por edhe vendet tjera që nuk kanë raporte të mira.

Ibishi thotë se edhe shteti i Kosovës duhet të jetë më i përgatitur politikisht dhe në aspektin funksional që sa më parë të jetë nën ombrellën e NATO-së , pasi në këtë mënyrë do jetë më komod karshi ndonjë agresioni nga Serbia

“E kemi një disbalancë të forcave në rajon sidomos me një rritje të madhe më shumë se 1 miliardë kohët e fundit që i kanë deklaruar investime në armatim dhe në pajisje luftarake që e bëjnë Serbinë të jetë kërcënues për fqinjët në rend të parë për Kosovën por edhe vendet tjera që nuk kanë raporte të mira. Është një përparësi e jona që ne kemi prezencën ndërkombëtare KFOR-in këtu dhe normal dhe tendencat tona apo kërkesat tona që e kemi FSK-në si forcë të armatosur duhet të jemi edhe në aspektin politik dhe funksional të përshpejtojmë procedurat që të integrohemi në NATO dhe kur nën këtë nën ombrellë jemi shumë më komod…10 Me gjithë këtë arsenal armatimi rrezikon edhe Kroacinë dhe vendet tjera që janë në rajon dhe realisht kjo është një shtytje e jona që ne jemi më të përgatitur edhe politikisht edhe në aspektin funksional”, tha Ibishi

Donacioni i armatimit që po vjen në Serbi nga Rusia është pjesë e një marrëveshjeje që presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, ka arritur me ministrin rus të Mbrojtjes, Sergei Shoigu, në vitin 2016.

Marrëveshja më pas është miratuar nga presidenti rus, Vladimir Putin.