RTK aplikon që të ftohet në Eurovizion 2025

Transmetuesi publik i Kosovës synon që të marrë pjesë vitin e ardhshëm si garues në Eurovizion, që do të mbahet në Zvicër. Kërkesa zyrtare tashmë është dorëzuar në Unionin Evropian të Transmetuesve (EBU).

Dorëzimi i kërkesës është bërë pas një seri takimesh e angazhimesh të kryetarit të Bordit Besnik Boletini dhe Drejtorit të Përgjithshëm Shkumbin Ahmetxhekaj me drejtuesit e EBU-së dhe transmetuesve publik evropian.

Në letrën e dorëzuar në EBU me 6 qershor, drejtori i përgjithshëm Shkumbin Ahmetxhekaj thekson se kërkesa për të marrë një ftesë nga Bordi ekzekutiv i Eurovizionit është model i aplikuar tashmë nga EBU në rastin Australisë.

“Me respekt, kërkojmë që të merrni në konsiderim dërgimin e një ftese RTK-së që të marr pjesë në garën e ardhshme të Eurosong. Pjesëmarrja jonë nuk do të ishte vetëm shpërfaqje e talentëve të Kosovës por gjithashtu do të fuqizonte frymën gjithëpërfshirëse dhe shkëmbimin kulturor që përfaqëson Eurovizioni”, thuhet në letrën e drejtorit Ahmetxhekaj.