Rrugëtimi i Benzemas drejt Topit të Artë

I lindur në Lyon të Francës në vitin 1987, Karim Benzema është lojtari më i mirë në botë.
Francezi e filloi karrierën në qytetin e tij të lindjes, Lyon, duke kaluar nëpër sistemin e të rinjve të klubit përpara se të bënte debutimin e tij me ekipin e parë në vitin 2005.

Ai qëndroi në Lyon për gati pesë vite derisa fitoi një transferim prej 35 milionë euro në Real Madrid përpara sezonit 2009/10.

Transferimi i tij në ‘Santiago Bernabeu’ pati jehonë të madhe, megjithatë edhe u vë në pikëpyetje nëse Benzema ishte i denjë për sulmin e madrilenëve.

Benzema ishte sulmues, por vitet e tij të para e deri në vitin 2018 u ‘përkujdes’ që të asistojë pesë herë lojtarin më të mirë në botë, Cristiano Ronaldon.

Që për shumëkënd kjo ishte një ‘sakrificë’ e francezit për yllin portugez.

Sezoni i tij i parë nuk qe i mirë, pasi në 33 paraqitje realizoi vetëm nëntë gola.

Mirëpo, francezi mori vetën dhe filloi ta dëshmonte që është lojtari adektuat për gjigantin spanjoll dhe përveç asistimeve po shënonte edhe gola.

Në vitin e tij të dytë me ‘Los Blancos’, shifrën e golave e çoi në 26, në gjithsej 48 paraqitje.

Paraqitje fenomenale tregoi edhe në sezonin 2011/12 duke shënuar 32 gola në 52 paraqitje.

Një vit më pas kontribuoi në 41 gola përfshirë edhe asistimet në 50 ndeshje sa zhvilloi.

Vitet kalonin e Benzema vazhdonte të dëshmonte që ishte një nga sulmuesit më të mirë në botë.

Pavarësisht formës së tij të lartë, ai ishte pothuajse gjithmonë nën hijen e yllit të Real Madridit, Cristiano Ronaldos.

Portugezi ishte pika kyçe e madrilenëve, andaj në shumë raste puna dhe përkushtimi i Benzemas nuk vinte në pah.

Megjithatë ajo u vë re pas largimit të Ronaldos nga Real Madridi.

Sulmuesi mori frenat e ‘Mbretërve’ duke udhëhequr ata tashmë si lider i vërtetë i klubit.

Në sezonin e tij të parë pas largimit të portugezit nga ‘Bernabeu’, francezi shënoi 30 gola, 11 asistime në 53 paraqitje në të gjitha garat.

Paraqitje fenomenale vazhdoi të dhurojë edhe vitet e tjera, duke qenë lojtari kryesor i klubit.

Gjatë sezonit 2021/22, Benzema kryesoi si në listën e golave ​​ashtu edhe të asistimeve në La Liga, duke shënuar 27 gola në ligë në 32 paraqitje dhe duke asistuar 12 të tjerë.

Gjithashtu, Benzema ka shënuar 15 gola në Ligën e Kampionëve në 12 ndeshje, duke luajtur një rol të madh në rikthimet e rezultateve ndaj klubeve të mëdha evropiane si Paris Saint Germain, Chelsea dhe Manchester City.

E paraqitja fenomenale e tij sezonin që lamë pas, bëri që ai të zgjidhet lojtari më i mirë në botë, pra duke u kurorëzuar me Topin e Artë për herë të parë.

Ky trofe individual ishte më se i merituar për francezin, pasi ka qenë i përkushtuar aq shumë për shumë vite, por në fund mundi i tij u shpërblye.

Francezi ka bërë 604 paraqitje konkurruese për Real Madridin gjatë 13 viteve të fundit, duke shënuar 325 gola dhe duke asistuar 159 të tjerë.

Karim Benzema arriti të dëshmojë që me punë dhe sakrificë të madhe mund të ia dalësh të prekësh majat në futboll, por jo vetëm aq.