Banorët e disa fshatrave dhe lagjeve periferike të Kumanovës vazhdojnë të jetojnë pa adresa të plota, pasi rrugët e tyre ende nuk kanë emra zyrtarë. Si pasojë, qytetarët përballen me probleme gjatë pranimit të faturave, dokumenteve, dërgesave postare dhe shërbimeve të tjera, ndërsa vështirësi hasin edhe institucionet, kompanitë që operojnë në terren. Problemi është veçanërisht i pranishëm në Rramanli, Llopat, Çerkez dhe Tabanocë, ndërsa Komuna e Kumanovës nuk e ka në plan ta zgjidhë këtë problem, shkruan Portalb.mk.
Banorët kërkojnë që institucionet lokale të ndërmarrin masa më të shpejta për zgjidhjen e çështjes së emërimit të rrugëve, duke theksuar se vonesat në këtë proces po u sjellin vështirësi të përditshme.
Luan Aliu, banor i një rruge pa emër, për Portalb.mk u shpreh se kjo situatë sjell probleme të ndryshme në përditshmëri.
“Që nga thirrja e taksive, pranimi i porosive të ndryshme, faturave apo edhe ardhja e ndihmës së shpejtë, krijohen ngatërresa si për banorët ashtu edhe për institucionet që punojnë në terren. Për fat të mirë, postieri është nga fshati ynë dhe rrallë ka gabime, por nëse ai ndërrohet, mund të krijohet kaos i madh. Ne kërkojmë një zgjidhje afatgjate dhe të qëndrueshme”, u shpreh Aliu.
Edin Osmani, një tjetër banor, thotë se institucionet lokale duhet të angazhohen më shumë në përmirësimin e shërbimeve për qytetarët.
“Ne paguajmë taksa, por nuk marrim shërbime cilësore nga autoritetet lokale. Emërtimi i rrugëve është një nevojë shumëvjeçare e qytetarëve dhe duhej të ishte zgjidhur shumë më herët. Me një angazhim serioz, ky problem mund të zgjidhet brenda një viti”, tha Osmani.

Nga Komuna e Kumanovës, për Portalb.mk, u përgjigjën shkurt dhe thanë se nuk kanë në plan të zgjidhin këtë problem.
“Deri më tani nuk është kryer numërimi i rrugëve që nuk kanë emra zyrtarë. Komuna e Kumanovës ende nuk ka hartuar plan apo afat kohor për fillimin e procesit”, thanë nga Komuna e Kumanovës.
Maksim Dimitrievski tani më ka hyrë në mandatin e tretë si kryetari i Komunës së Kumanovës, ku edhe pas tre mandateve nuk e ka parë të arsyeshme të investoj në këtë fshat.
Megjithatë, ky nuk është problem vetëm në Komunën e Kumanovës, pasi mungesa e emrave të rrugëve dhe adresave të standardizuara paraqitet edhe në disa komuna dhe vendbanime të tjera, veçanërisht në zonat rurale dhe periferike.
Edhe në qytete të tjera si Tetova, Gostivari, Struga, banorët shpesh përballen me situata të ngjashme, ku mungesa e adresave të sakta krijon vështirësi në shërbimet publike dhe orientim.
Portalb.mk në vazhdimësi ka shkruar për brengat e banorëve të kësaj ane. Prej më shumë se 20 vitesh, banorët e fshatit Rramanli në Kumanovë jetojnë me frikën e kalimit mbi rrugën e cila kalon përmes hekurudhës ku mungon rampa, masa mbrojtëse dhe sinjalizim adekuat. Pavarësisht aksidenteve të shumta, disa edhe me pasoja fatale, institucionet kanë qëndruar të heshtur përballë këtij neglizhimi.



