Rruga “Brigada Maqedono-Kosovare”, e rrezikshme për qytetarët

Banorët e quajnë rrugë “vrastare” bulevardin “Makedonska Kosovska Brigada” në Komunën e Çairit. Siç thonë, lëvizja e makinave me shpejtësi të palejuar rrezikon jetën e tyre, posaçërisht të fëmijëve, të cilët çdo ditë kalojnë në këtë rrugë për të arritur në shkollë.

“Unë jam viktimë, jam pa këmbë tashmë 40 vjet. Ka shumë raste të aksidenteve, vozitet shumë shpejt, minimum prej 100 e më lart në kilometër orë. Frikohem për fëmijët e mi”.

“150 a vozitet në këtë vend këtu, me këtë shpejtësi edhe në shtëpi hyn. Këtu ka fëmijë, kjo është lagje. Pa policë shtrirë kjo nuk do të bëhet rrugë, nëse jo atëherë ne i vendosim vet”.

“Patjetër kjo rrugë të rregullohet që makinat mos të vozitin me shpejtësi. Fëmijët e shkollës kalojnë rrugën andej këndej, po i shkelin”.

Banorët thonë se në qytetin e Shkupit kanë dorëzuar kërkesë për vendosjen e policëve të shtrirë. Nëse kërkesa e tyre nuk pranohet, paralajmërojnë bllokim të rrugës.

“Kemi mbledh disa nënshkrime prej anëtarëve që janë të lënduar, ato që kanë mbetur pa të afërmit e tyre dhe atyre që kanë mbet me pasoja. Në këtë rrugë nuk respektohen shenjat, nuk respektohet shpejtësia që është e paraparë. Do ta bllokojmë edhe rrugën në qoftë se nuk do të merren masa”.

Kreu i Shkupit, Shilegov tha se po kërkohet zgjidhje për këtë problem.

Bëhet fjalë për bulevard dhe jo çdo lloj ndalimi i shpejtësisë mund të merret parasysh, por ekzistojnë mënyra dhe modalitete si të ngadalësohet shpejtësia. Unë shpresoj që edhe koordinimi me Ministrinë e Punëve të Brendshme dhe prezenca e policëve të trafikut, në të ardhmen do të parandaloj ndonjë aksident më serioz -deklaroi Petre Shilegov, kryetar i Qytetit të Shkupit.

Sipas banorëve, tashmë dhjetëra persona që jetojnë në afërsi kanë qenë viktimë e aksidenteve të shumta të shkaktuara nga shpejtësia e madhe e makinave. Për momentin, në bulevardin “Makedonska Kosovska Brigada” po zhvillohen punime për rikonstruimin e tij./Alsat