Rruga Bellanoc-Stançiq nuk po mirëmbahet siç duhet, rrëshqitja e dheut rrezikon shoferët

“Jemi në rrugën në afërsi të së cilës është kufiri Bellanocë-Stançiq, kjo rrugë u asfaltua por e njëjta tani nuk po mirëmbahet”, raporton Remzije Bilalli, gazetare e TV21.

Kjo rrugë lidh Maqedoninë e Veriut me Kosovën. Në shumë pjesë të rrugës shihen rrëshqitje të dheut e në disa pjesë të tjera kanë filluar të formohen edhe deponi. TV21 pyeti Komunën e Likovës, por nga atje theksuan se kjo është rrugë regjionale dhe është në kompetenca të NP “Rrugët e Maqedonisë”.

E drejtori i kësaj ndërmarrje Kostadin Acevski theksoi se kjo ndodh për shkak pozitës së tokës në atë pjesë. Sipas tij pastrime aty kryhen çdo ditë.

“Drejtim rrugor specifik sepse kalojmë në shumë plasaritje-prerje dhe me përbërje specifike të tokës e cila është katerogjene ka dhe, gurë dhe gjatë ndryshimeve të përkohshme të temperaturave, shiut, borës vjen deri tek rrëshqitja në rrugë. Ndërmarrja jonë publike konkretisht seksioni në Kumanovë çdo ditë vepron në atë rrugë, ndonjëherë edhe disa herë gjatë ditës”, tha Kostadin Acevski, drejtor i NP “Rrugët e Maqedonisë”.

Acevski shtoi se në bashkëpunim me NP “Rrugë shtetërore” dhe Fakultetin e ndërtimtarisë do të shihen të gjitha masat të cilat mund të përmirësojnë gjendjen me rrëshqitjen e tokës, e një nga opsionet është vendosja e rrjetit prej telave.

“Do të shihen të gjitha masat të cilat do ta përmirësojnë gjendjen me rrëshqitjen e dheut një nga opsionet është vendosja e rrjetit edhe pse rrjeti mbrojtës mund ta zbus gjendjen por ta zgjedhin problemin jo, për zgjedhje përfundimtare duhet përfshirje më serioze”, theksoi Acevski.

Ndryshe sa i përket deponive jashtë aksit rrugor Acevski tha se nuk janë nën kompetencat e tyre, ndërsa pastrimi bëhet vetëm brenda akseve rrugore gjatë mirëmbajtjes së rrugëve.