Rroftë rinia!

Arbër Çeliku
Tentimi për ta frikësuar rininë me emrin e babaxhanëve matufë, nuk është asgjë tjetër, pos një përpjekje e dëshpëruar e bretkosave në moçal…
Rinia nuk derdh më lot krokodili për ata, sepse e ka kuptuar sensin e jetës, por edhe mashtrimin e tyre të pafund, madje e kanë kuptuar edhe njëmendësinë e tyre fisnore, që përjashton çdokënd, i cili nuk i takon sinurit të tyre.
“Isha i vogël dhe tashmë jam bërë burrë, të njëjtat premtime dhe gënjeshtra po i dëgjoj, shokët e mi, me diploma të blera brenda natës, i zunë vendet e punës dhe sot vrapojnë pas partive si të çmendur, më dhimbsen teksa i shoh që jua mbajnë çadrat gjatë fjalimeve të tyre në sokak dhe u duartrokasin atyre, që në kurriz të tyre u bënë milionerë. Prandaj, s’dua të dëgjoj më për politikë. Vijnë e ma kërkojnë votën, mirë u them, por as që dua t’ia di. Të lutem shumë, mos ma merr për të madhe, por ky vend s’bëhet kurrë”, më tha një shoku djalit tim këto ditë.
“Unë me magjistraturë, të marrë më mund e me djersë, që 10 vjet jam në listë të pritjes për punë, por ja që sherifi i katundit me shkollim 4-vjeçar nuk do”, ndërhyri tjetri.
I përpunova gjatë në mendje këto fjalë dhe më mbetet veç të them: Faleminderit rini! Por, edhe njëkohësisht: Na falni rini! Që ju shitëm, mashtruam dhe tradhtuam… Ne, babaxhanët tuaj egoistë, cinikë dhe konformistë.