Rritet numri i vrojtuesve të plazheve, por Shqipëria ende nuk përmbush standardet për flamurin blu

Bregdeti shqiptar dita ditës po bëhet më i sigurt për shkak të rritjes së numrit të vrojtuesve në plazh.

Kështu u shpreh për A2 CNN presidenti i e Federatës Shqiptare “Vrojtuesit e Plazhit dhe Shpëtimit në Ujë”, Erdit Gega.

Sipas tij aktualisht Federata ka trajnuar 1,250 vrojtues plazhi, por nevojat aktualisht janë për mbi 2,500 të tillë.

“Janë vetëm 5 vjet që Federata funksion. Kemi trajnuar mbi 1250 trajnues plazhi. Nevoja është e madhe kemi nevojë për mbi 2500 vrojtues plazhi, numri i vrojtuesve për frymë në Shqipëri është më i vogël por jemi në hapat e parë dhe statistikat janë pozitive. Nëse trendi i turistëve rritet, tani po shkon drejt uljes së fataliteteve, ndryshe nga më parë. Ka institucione shtetërore që punësojnë vrojtuesit e plazhit. Baza ligjore nuk e toleron mos pasjen e vrojtuesit të plazhit”, tha Gega.

Sipas Gegës çdo vrojtues plazhi duhet të jetë i pajisur me mjete shpëtimi, ku rregulli kryesorë është humanizmi.

“Kur vrojtuesi ndodhet aty të gjithë i drejtohen atij, pasi është i trajnuar dhe certifikuar dhe reagon në momente të ndryshme. Duhet të ketë dylbi, kamerdare, mjete shpëtimi dhe të ndihmës së parë. Një vrojtues nuk mund të niset kurrë pa mjetin e tij. Është shumë e vështirë kur je përballë një njeriu që është duke u mbytur të luftosh pa një mjet shpëtimi. Vrojtuesit janë të trajnuar edhe për të fikëtin, debulesën, pickimet, djegia nga kandilet. Kursi është 100 orë mësimore dhe ka njohuri për bazën ligjore, teknikat e notimit, dyluftimit në ujë hidrometereologjinë dhe ndihmën e parë”, shtoi Gega.

“Por pavarësisht rritjes së ndjeshme të vrojtuesve, Shqipëria nuk e ka ende certifikatën blu që është e standardit më të lartë, për shkak të mos përmbushjes së kritereve. Flamuri blu është certifikata e standardit më të lartë. Katër kriteret kryesore për t’u pajisur me flamurin blu janë; pastërtia e ujit, plazhit, siguria për jetën dhe aksesi për të gjithë, ku aksesi t’u ofrohet edhe personave me aftësi të kufizuar. Shqipëria nuk e ka”, sqaroi presidenti i federatës.