Rritet numri i viktimave të Covid19 në Wuhan

Më 17 prill 2020, komanda e parandalimit dhe kontrollit COVID-19 në Wuhan bëri njoftim mbi numrin e rasteve të konfirmuara dhe numrin e viktimave:
Sipas paragrafit 4 të nenit 38 të “Ligjit për parandalimin dhe mjekimin e sëmundjeve infektive të Republikës Popullore të Kinës” se “duhet të publikohen të dhënat epidemike në kohë dhe me saktësi”; paragrafit 3 të nenit 25 të “Rregullores për emergjencat e shëndetit publik”, që thotë se “duhet të publikohet informacioni në kohë, me saktësi dhe në mënyrë të gjithanshme”; nenit 19 të “Rregullores së zbatimit të ‘Ligjit të statistikave të Republikës Popullore të Kinës'”, që “të dhënat statistikore me mungesa ose gabime të dukshme duhet të plotësohen ose të rishikohen sipas ligjit”; nenit 14 të “Rregullores për regjistrimin e të dhënave të të vdekurve”, nga i cili kërkohet që “institucionet mjekësore duhet të krijojnë sistemin e duhur për rishikimin e të dhënave” dhe nenit 15 që “institucionet mjekësore duhet të krijojnë sistemin e krahasimit dhe shqyrtimit të të dhënave përkatëse” etj., dhe me parimin e përgjegjësisë për historinë, popullin dhe ata që janë ndarë nga jeta, për të garantuar të dhëna të hapura dhe shifra të sakta për gjendjen epidemike, komanda për parandalimin dhe kontrollin e COVID-19 në Wuhan ka formuar një grup të posaçëm inspektimi për të dhënat e mëdha lidhur me gjendjen epidemike, duke mobilizuar sektorët dhe departamentet kryesore, si komisioni shëndetësor, rendi publik, çështjet civile, organet juridike dhe statistikore, të cilët kanë bërë krahasim të dhënash në internet me sistemet përkatëse shëndetësore dhe ndërkohë, kanë bërë mbledhjen e të dhënave nga të gjitha zonat e infektimit në Wuhan, si klinikat e sëmundjeve infektive, spitalet e përhershme dhe ato të përkohshme, pikat e karantinës, lagjet me raste infektimi, si edhe institucionet e veçanta që menaxhohen nga departamentet e sigurisë publike, të drejtësisë, të çështjeve civile etj., si burgjet dhe shtëpitë e të moshuarve.

Pas mbledhjes së informacionit personal për të gjitha rastet dhe konfirmimit një për një me institucionet mjekësore, lagjet, stacionet bazë të policisë dhe të afërmit e të sëmurëve, deri në orën 24 të 16 prillit, numri i rasteve të konfirmuara u shtua me 325 dhe numri i pacientëve të konfirmuar është rishikuar në 50333. Ndërsa, numri i rasteve të vdekjeve të konfirmuara nga COVID-19 është shtuar me 1 290, duke arritur gjithsej në 3869.

Arsyet për rishikimin e të dhënave janë:

Së pari, në fazën e hershme, numri i të sëmurëve shënoi rritje të madhe dhe burimet mjekësore nuk ishin të mjaftueshme. Kështu që disa pacientë nuk morën mjekim në spital dhe vdiqën në shtëpi.

Së dyti, në kulmin e mjekimit, spitalet ishin të mbingarkuara dhe personeli mjekësor ishte përqendruar në mjekimin dhe shpëtimin e njerëzve, kështu që ka pasur njoftime me vonesë dhe me shifra të gabuara.

Së treti, për arsye që numri i spitaleve të caktuara për pranimin e pacientëve me COVID-19 ka qenë në rritje të shpejtë dhe ndër to ka pasur spitale të Komisionit Kombëtar të Shëndetësisë, të provincës Hubei dhe të qytetit Wuhan, si edhe të ushtrisë, ndërmarrjeve, spitale private dhe spitale të përkohshme, disa prej tyre nuk kanë pasur mundësi të ndajnë në kohë të dhënat ose të lidhen me rrjetin kryesor të informacionit mbi gjendjen epidemike.

Së katërti, për disa raste vdekjesh nuk është bërë regjistrim i plotë, prandaj ka pasur njoftime të përsëritura ose të gabuara.

Jeta është e para, populli është i pari. Çdo jetë e humbur në epidemi është një plagë për familjet dhe një dhimbje për këtë qytet. Këtu duam të shprehim ngushëllim të sinqertë për viktimat e familjet e tyre dhe hidhërim të thellë për bashkatdhetarët dhe punonjësit mjekësorë që kanë humbur jetën!