Rritet numri i infektimeve me COVID-19 në SHBA, ndërsa vazhdojnë protestat

Ndërsa protestat kundër diskriminimit racor vazhdojnë në shumë qytete amerikane, Presidenti Donald Trump u kthye në gjurmët e fushatës së tij me një ndalesë në Tallsa të Oklahomës. Por dëshira për t’u rikthyer në një farë normaliteti po pengohet nga shtimi i rasteve të COVID-19 në shumë shtete amerikane.

Para një turme prej mijëra mbështetësish në stadiumin Bank of Oklahoma Center në Tulsa, Presidenti Donald Trump pranoi numrin në rritje të rasteve të infektimit me koronavirus në vend.

“Kur bën testime në këtë masë do të gjesh më shumë njerëz, do të kesh më shumë raste”.

Dëshira e presidentit për tju kthyer normalitetit pas disa muajsh kufizimesh u prit me mbështetje entuziaste nga pjesëmarrësit në tubim.

Ndërsa zyrtarët shëndetësorë vazhdojnë të monitorojnë numrin në rritje të infektimeve me COVID-19, tubimet dhe protestat kundër diskriminimit racor dhe brutalitetit të policisë vazhdojnë në të gjithë vendin, me demonstruesit që hoqën statuja, përfshi ato që nderojnë udhëheqësit e konfederatës nga Lufta Civile Amerikane.

Senatori republikan i Karolinës së Jugut, Tim Scott, i cili po punon për hartimin e legjislacionit të reformës policore, thotë se për agjencitë e zbatimit të ligjit, janë të nevojshme më shumë fondenë nivelin federal e jo më pak.

“Nëse dëshironi që oficerët të trajnohen në mënyrë efektive, duhet t’u jepni atyre mjetet e duhura për të arritur atje, dhe kjo kërkon më shumë burime. Ne e dimë që nëse duam më shumë informacion në nivel federal, kjo do të kërkojë më shumë burime”.

Scott tha gjithashtu se fondet federale do të sigurojnë që agjensitë e zbatimit të rendit, të ndjekin ligjin.

“Është e rëndësishme për ne të përdorim burimet që u japim forcave të rendit në një mënyrë që t’i detyrojë ata në drejtimin për të cilin ne mendojmë se është në interesin më të mirë të vendit, të komuniteteve ku ata shërbejnë dhe sinqerisht, të vetë oficerëve”, tha senatori Scott.

Ndërsa ligjvënësit vazhdojnë të punojnë për të reformuar praktikat e zbatimit të ligjit, kjo ndodh në një kohë kur pjesa më e madhe e Uashingtonit është duke përtypur rrëfimet në librin e ish Këshilltarit të Sigurisë Kombëtare, John Bolton, “Dhoma Ku Ndodhi”, që ofron një vështrim të brendshëm në administratën Trump.

Libri është një portretizim jo i këndshëm i udhëheqjes së Presidentit Trump.

“Mungesa e ndjeshmërisë dhe gjykimit për të cilën flet John Bolton-i, mund ta shihni në trajtimin e tij të protestave publike pas vrasjes së George Floyd tre javë më parë”, thotë Nigel Sheinwald, ish ambasador i Britanisë në SHBA.

Këshilltari i Shtëpisë së Bardhë Peter Navarro hodhi poshtë shumë prej akuzave që Bolton bën në librin e tij.

“Ai u pushua nga puna sepse nuk i bindej zinxhirit të komandës, sepse pikëpamjet e tij nuk përputheshin aspak me Presidentin Donald J. Trump në lidhje me mbarëvajtjen në marrëdhëniet ndërkombëtare. Dhe ai në thelb po thyen të gjitha mënyrat e traditës, duke publikuar një libër në këtë fazë. Dhe në këtë mënyrë do të bëjë para”.

Departamenti i Drejtësisë u përpoq të bllokojë botimin e librit të zotit Bolton mes shqetësimesh se ai përmbante informacion të klasifikuar, por një gjykatës federal vendosi të shtunën se botimi mund të vazhdojë.

Loading...