Kina ka mbajtur përqindje të larta të përdorimit të energjisë së erës dhe asaj diellore, duke shtuar si shpejtësinë, ashtu edhe cilësinë e përdorimit të burimeve të përtëritshme, treguan të dhënat zyrtare të dielën.
Normat e përdorimit të energjisë së erës dhe asaj diellore mbetën mbi 95 për qind këtë vit, sipas të dhënave të Administratës Kombëtare të Energjetikës. Në fund të vitit 2024, kapaciteti i instaluar i energjisë së erës në Kinë ka arritur në 510 milionë kilovatë, ndërsa kapaciteti i energjisë diellore në 840 milionë kilovatë.
Në shtatë muajt e parë të sivjetshëm, prodhimi i energjisë së erës dhe asaj diellore arriti në 1.05 trilionë kilovatorë, duke përbërë rreth 20 për qind të prodhimit të përgjithshëm të energjisë elektrike në Kinë.
Industria e energjisë së re e Kinës ka njohur rritje të shpejtë në vitet e fundit, duke ruajtur një normë rritjeje vjetore me dy shifra.
Që nga viti 2013, kapaciteti i instaluar i energjisë së erës në Kinë është rritur gjashtë herë, ndërsa kapaciteti i instaluar i energjisë diellore më shumë se 180 herë. Instalimet e reja vjetore në Kinë përbëjnë më shumë se 40 për qind të vëllimit të përgjithshëm global, duke kontribuuar ndjeshëm në zhvillimin e gjelbër të botës.
Në konferencën kombëtare të punës energjetike të zhvilluar të dielën, autoritetet kineze u zotuan të forcojnë përpjekjet për të zhvilluar dhe përdorur energjinë e erës e të diellit për të nxitur transformimin e gjelbër dhe me lëshim të ulët karboni.
Kina do të thellojë gjithashtu bashkëpunimin ndërkombëtar në fushën energjetike, veçanërisht për sa i përket energjisë së gjelbër, dhe do të marrë pjesë aktive në qeverisjen globale të energjisë, u theksua në këtë konferencë.