Rrëzohet avioni luftarak amerikan, vdes piloti

Një avion luftarak amerikan është rrëzuar në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, duke shkaktuar vdekjen e pilotit që e drejtonte.

Bëhet fjalë për një mjet F-16 Falcon, i cili i përkiste ushtrisë së shtetit të Uiskonsin, dhe ishte nisur nga baza ushtarake në Madison. Avioni, një nga mburrjet e aviacionit ushtarak amerikan, për shkaqe ende të panjohura u rrëzua në pyjet e shtetit të Miçiganit, gjatë një operacioni stërvitor.

Edhe pse operacionet e shpëtimit iu drejtuan menjëherë zonës së aksidentit, piloti, identiteti i të cilit nuk bëhet i ditur, nuk mundi të shpëtojë.