Gjermani regjistron mbi 29 mijë raste të reja me Covid-19

Gjermania në ditën e dytë radhazi ka shënuar një rekord të ri të rasteve me COVID-19.

Instituti Robert Koch (RKI) konfirmoi 29.875 raste të reja të koronavirusit, nga 23.679 të regjistruara një ditë më parë.

Instituti po ashtu raportoi 598 vdekje brenda 24 orëve, duke e çuar në 20.970 numrin e përgjithshëm të viktimave nga virusi.

Pavarësisht bllokimit të pjesshëm që filloi më 2 nëntor, mesatarja shtatë-ditore e infeksioneve të reja në Gjermani ka mbetur mbi 20 mijë.

“Numri i lartë i rasteve në të gjithë vendin është shkaktuar nga transmetimi gjithnjë e më i përhapur, me grupe të shumta veçanërisht në familje dhe shtëpi pleqsh, por edhe në mjediset e punës, objektet e komunitetit dhe në aktivitetet fetare”, tha RKI në raportin e saj të fundit.

Aktualisht, 4.339 pacientë të prekur nga COVID-19 po trajtohen në kujdes intensiv, prej të cilëve 2.505 janë në ventilatorë.

Numri i përgjithshëm i rasteve të konfirmuara me COVID-19 në Gjermani është mbi 1.27 milion, shifër e cila e rendit në vendin e pestë në Evropë pas Francës, Spanjës, Mbretërisë së Bashkuar dhe Italisë.