Rrënimi i objektit bllokon banorët e Llokës, kërkohet ndërtimi i një ure të re

Banorëve të fshatit LLokë të Komunës së Sarajit tashmë dhjetë ditë u është bllokuar rruga drejt qendrës së qytetit. Kjo, për shkak të prishjes së një objekti disa katësh mes Komunës së Sarajit dhe asaj të Karposhit. Me asistencë të policisë, rruga bllokohet nga ora 8 e mëngjesit e deri në orën 16 pasdite. Të revoltuar, banorët bëjnë dhjetëra kilometra për të arritur në kryeqytet.

“Qarkullojmë nga Saraji, 7-8 kilometra rrugë bëjmë. Kohën na e merr, shpenzime bëjmë. S’kemi pse e paguajmë ne banorët e Llokës, çmimin e asaj që e kanë lejuar ta ndërtojnë atë objekt gjashtë apo shtatë vite të ndërtohet”.

“Çdonjëri prej nesh është i dëmtuar me dhjetëra kilometra tepër. Kjo rrugë duhet të lirohet, kjo është sikur me na vendos orë policore, me qenë të dënuar për një faj të tjetër kujt, ata mund ta vazhdojnë punën e vet po edhe puna jonë nuk guxon të ndalet”.

Llokasit, alternativë të vetme për të arritur në qytet kanë urën për këmbësor që lidhet me Komunën Gjorçe Petrov. Mirëpo, ajo është thuajse e shkatërruar. Siç thonë banorët, tashmë janë dorëzuar dhjetëra kërkesa në Komunën e Sarajit për ndërtimin e një ure të re.

“Kjo urë është e shekullit 21, në Bashkimin Evropian nuk arrihet kështu. Këto copa i kam ngjitur mos të rrëzohen fëmijët. Kur ishin zgjedhjet, Shilegovi kërkonte vota. Na premtoi se nëse fiton do ta ndërtojnë urën”.

“Komunat na kanë premtuar, por asnjëra nuk ka realizuar asgjë. Vetëm me thënë që është urë, kjo nuk është as urë, I ka mbet vetëm emri urë”.

Kreu i Sarajit, Blerim Bexheti tha se ka pranuar shumë kërkesa për ndërtimin e urës së re në fshatin Llokë. Sipas tij, pengesat janë paraqitur te Komuna e Gjorce Petrovit dhe ajo e Qytetit të Shkupit që nuk kanë shprehur interesim për ndërtimin e urës.

“Ata kanë bë peticione të ndryshme deri te komuna, unë I kam bart edhe në institucionet tjera. Gjitha institucionet që nuk merren me këtë çështje realisht krijojnë pengesë, gjitha organet, institucionet që kanë kompetenca. Banoret nuk e kanë për ndonjë luks këtë kërkesë, është shumë e nevojshme”, deklaroi Blerim Bexheti, kryetar i Sarajit.