Rrallë ndodhë, por kësaj radhe jemi në anën e duhur

Shkruan: Besim NEBIU, Shkup

Ne shqiptarët me shumë brengë dhe shqetësim e përcjellim agresionin rus në Ukrainë. Është fare i natyrshëm ky shqetësim. Vetëm para një çerekshekulli edhe vetë kemi qenë viktima të agresionit të fqinjit – agresion i cili poashtu rrezikonte ekzistencën tonë jo vetëm kulturore, politike, por edhe fizike. Dhe, nga ana e aleatit farefisnor dhe ideo-politik të Rusisë së Putinit!

Se ku buron ky shqetësimi yni është fare e qartë! Në aspektin psikologjik është tejet i natyrshëm shqetësimi i një populli, i cili edhe vetë ka përjetuar agresion. Nga aspekti historik, por edhe gjeopolitik, është një shqetësim që e lidhim me fqinjin tonë agresiv – Serbinë, e cila sot është i vetmi vend europian (nëse nuk e llogarisim Bjellorusinë) – i cili nuk ka vendosur asnjëfarë sanksioni kundër Kremlinit dhe, për më tepër, duket fare në siklet që sinqerisht ta dënojë politikën e shfrenuar të Rusisë.

Si rëndom, kuptimi i plotë i situatës për ne nuk është i lehtë, në mungesë informatash të thella për botën pak më larg nga rrethi imediat ku jetojmë, por edhe në situatë ku mendimet dhe debatet i kemi sistematikisht të helmuara nga propaganda ruso-serbe, të cilën tradicionalisht e kemi të instaluar në mesin tonë dhe të servuar nëpërmjet portaleve, analistëve gjoja të pavarur dhe autoparlanteve të tjera pro-ruse, e që në gjuhën tonë shqipe po mundohen sistematikisht të na shpërqendrojnë duke krijuar mjegullina, për të na tërhequr sa më larg nga çështjet kryesorë në ato anësorë dhe të parëndësishme.

Në një prononcim të tij, në orët e hershme të agresionit rus, Stevo Pendarovski, Presidenti i Maqedonisë së Veriut, vetë njohës i mirë i gjeopolitikës dhe ekspert i sigurisë, deklaroi se: “Nëse Rusia e pushton Ukrainën, pika më e cenueshme në Ballkanin Perëndimor është Banja Lluka” (shënim i autorit: Banja Lluka si qendër politike serbe në Bosnjë dhe qendër e Republika Srpskës – entitetit serb brenda Bosnjës dhe Hercegovinës).

Gllabërimi i lehtë i Ukrainës duket se ishte i projektuar si fare i sigurt në Kremlin – dhe shigjeta e dytë sulmuese pas një fitoreje të shpejtë dhe të lehtë ruse në Ukrainë, të cilën e kishte planifikuar Kremlini (fatmirësisht nuk u realizua!) do drejtohej pikërisht në Ballkan, dhe nëpërmjet mikut dhe aleatit tradicional rus të këtushëm – elementit serb!

Bosnja dhe Hercegovina ka qenë nën vëzhgimin e komunitetit ndërkombëtar prej muajsh, prej kur Milorad Dodik, një adhurues i Putinit dhe pion i Vuçiqit, ndërmori hapa konkretë në drejtim të një recesioni të ardhshëm serb nga shteti boshnjak. Dodiku edhe më parë, prej vitesh, ka kërcënuar me secesion serb të Bosnjës, por para disa muajsh kaloi nga fjalët në vepra dhe ndërmori hapa praktikë për të krijuar institucione të reja në Banja Llukë – paralele me ato që tashmë ekzistojnë në nivel shtetëror në Sarajevë. Që nuk e kishte  me shaka ose truk, dëshmon fakti që RS filloi me miratimin e ligjeve që parashohin tërheqjen praktike të këtij entiteti boshnjak nga sistemi gjyqësor shtetëror i BeH, administrata tatimore dhe ushtria e Bosnjës. Pra, elementet kyçe që e karakterizojnë një shtet! Dodiku, pa mëdyshje, bëri përgatitje për të krijuar një shtet të ri serb në Ballkan me ndihmë dhe përkrahje të Rusisë dhe Serbisë.

Kjo është një përsëritje alarmante e politikës serbomadhe të vitit 1991. Natyrisht, nuk u raportua gjerë e gjatë në mediat tona dhe nuk u komentua nga analistët tonë aq sa e do rasti! Ajo që u transmetua si lajm në mediat tona ishte deklarata e Përfaqësuesit të Lartë për BeH, Kristian Shmit, i cili deklaroi se veprimi i Dodikut paraqet “krizën më të madhe ekzistenciale për Bosnjën që nga fundi i luftës”. Por, pa ndonjë koment thelbësor, si dhe pa  analizë përkatëse.

Ditën para invazionit rus në Ukrainë, BE-ja njoftoi forcimin e misionit paqeruajtës në Bosnje dhe Hercegovinë, duke e dyfishuar praninë ushtarake të NATO-s në Bosnjë. Pse pikërisht në Bosnjë dhe pse pikërisht në orët e sulmit rus po ndodhë kjo gjë? Rritjen e trupave ndërkombëtare në Bosnje dhe Hercegovinë duhet interpretuar si një sinjal të qartë kundërshtimi kundër atyre që duan ta marrin në befasi Bashkimin Evropian dhe NATO-n, duke ndryshuar status quo-në në vend dhe në rajon. Pra, Rusisë dhe aleatit të saj kryesor – Serbisë! Është fare i qartë angazhimi dhe plani ruso-serb në Ballkan, i cili do të realizohej si hap i dytë pas një fitoreje të shpejtë dhe të lehtë ruse në Ukrainë.

Serbia, së bashku më Bjellorusinë (e cila është haptazi jo më shumë se një satelit i Putinit), janë dy shtetet e vetme që nuk janë rreshtuar me pozicionin perëndimor, atij të dënimit parimor, pa ekuivok dhe të pa kusht tëagresionit rus.

Natyrisht, Serbia, për dallim nga bota e civilizuar, nuk ka vendosur sanksione kundër Moskës. Bile, edhe Zvicra tradicionalisht neutrale, në këtë rast vendosi masa kundër Rusisë. Presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, priti disa ditë para se të fliste për pushtimin rus të Ukrainës. “Cenimi i integritetit territorial të çdo vendi është një gjë shumë e keqe”, Por, Serbia ka “interesat e saj jetike dhe miqtë e saj tradicionalë” dhe për këtë arsye nuk mund të vendosë sanksione kundër Moskës, shpjegoi kreu i shtetit. Natyrisht, ky deklarim serb, sado i pritshëm dhe i kuptueshëm për ne, e paraqet Serbinë e Vuçiqit si një shtet pa dyshim të orientuar nga aleanca me Rusinë, shumë më tepër sesa nga vlerat e demokracisë dhe eurointegrimeve.

A është ky rast strategjikisht i rëndësishëm për shqiptarët?

Qeveria Kurti, në orët e hershme të krizës ukrainase, bëri thirrje për krijimin e një baze të përhershme të NATO-s dhe fillimin e një procesi të përshpejtuar të anëtarësimit në NATO. Ky është jo vetëm një akt logjik, por dhe largpamësi strategjike. Fakti se nismën e këtillë Vuçiqi, në stilin e tij pasiv-agresiv, e karakterizoi si “një ide të lobit amerikan dhe evropian” – vetëm e validon mençurinë dhe largpamësinë e këtij veprimi të qeverisë kosovare.

Janë këto ditë kur shumë gjëra që deri dhe dukeshin të pamundura, bëhen normale. Rreshtimi shqiptar akoma më i fortë me perëndimin përballë aleatit të vetëm rus në Ballkan dhe Europë është veprim i duhur dhe i drejtë. Ditët dhe muajt në vijim pa dyshim do të jenë të vështirë, por situatat e këtilla janë ato pika historike, të cilat krijojnë rreshtime dhe konstelacione dramatike dhe të pamenduara më parë. Si rrallëherë më parë në histori, drejtimin, rreshtimin dhe veprimin e kemi në anën e duhur.