Rrahja e Sanduloviqit, Kurti: Kështu vepron qeveria serbe ndaj atyre që guxojnë të pranojnë të vërtetën

Politikani serb, Nikola Sanduloviq, është rrahur brutalisht nga pjesëtarë të shërbimit sekret serb BIA për dy ditë me radhë, për shkak se i njëjti kishte vënë lule te varret e familjes Jashari në Prekaz dhe kishte kërkuar falje për krimet serbe të kryera në Kosovë.

Kështu ka deklaruar avokati serb, Çedomir Stojanoviq, i cili tha se gjendja shëndetësore e Sanduloviqit është shumë e rëndë, raporton Klankosova.tv.

Ndaj këtij sulmi kanë reaguar politikanë të Kosovës, e ndër ta edhe kryeministri Albin Kurti.

Përmes një postimi në X, kreu i ekzekutivit tha se rrahja e rëndë e Sanduloviqit nga shërbimi sekret serb, është tregues se çfarë u ndodhë qytetarëve serbë në Serbi nëse guxojnë të pranojnë të vërtetën dhe të ndjekin pajtimin.

“Thellësisht i shqetësuar për raportet që thonë se lideri i opozitës serbe Nikola Sanduloviq është paralizuar për shkak të rrahjeve të rënda nga shërbimi sekret serb. Kjo vjen pas kërkimit të faljes së tij për krimet e kryera nga Serbia gjatë fushatës gjenocidale në Kosovë”.

“Ky brutalitet i papërshkrueshëm përfaqëson taksën që qeveria serbe u imponon qytetarëve të saj për guximin për të pranuar të vërtetën dhe për të ndjekur pajtimin. Kjo gjithashtu përbën një shkelje serioze të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut dhe një sulm të ngjashëm me të Putinit ndaj atyre që refuzojnë të marrin pjesë në mohimin e gjenocidit”, shkroi Kurti në X. /Klankosova.tv