Rozana Radi ka sqaruar publikisht arsyet që e çuan në tërheqjen nga një projekt muzikor, pas një problemi me të drejtat e autorësisë së këngës.
Gjatë një interviste televizive, artistja tha se në janar iu propozua një bashkëpunim muzikor nga DJ Iliano. Sipas saj, përpara se të pranonte projektin, kërkoi informacion të plotë mbi dokumentacionin ligjor dhe të drejtat e përdorimit të materialit muzikor.
Rozana deklaroi se kishte marrë garanci se gjithçka ishte e rregullt dhe se autorizimet përkatëse nga autori dhe kompozitori ishin siguruar. Më pas, ajo vijoi punën me një version remix të këngës, i cili u performua edhe live më 14 shkurt në qendër të Tiranës.
Megjithatë, gjatë fazës së përgatitjes për publikimin final dhe videoklipin, këngëtarja mësoi se materiali muzikor kishte lidhje me një projekt të mëparshëm të Rezarta Shkurtës. Sipas saj, kompozitori kishte shitur të njëjtën këngë dy herë, duke krijuar konflikt mbi të drejtat e përdorimit.
Pas kësaj situate, Rozana Radi vendosi të tërhiqej nga projekti për të shmangur probleme ligjore dhe për të mos vijuar me një material që kishte paqartësi mbi autorësinë.
“Mua më është ofruar në janar një këngë nga DJ Iliano, e cila më pas rezultoi të ishte një projekt i Rezarta Shkurtës. Para se të pranoja bashkëpunimin, pyeta nëse ishin marrë të gjitha të drejtat e autorësisë dhe firmat përkatëse nga autori dhe kompozitori. M’u tha se gjithçka ishte në rregull dhe ligjërisht e përfunduar. Duke qenë se Rezarta kishte versionin origjinal, ne realizuam një version remix, të cilin e performova më 14 shkurt në qendër të Tiranës.
Kur nisëm përgatitjet për videoklipin, vendosa të verifikoja edhe një herë dokumentacionin. Në atë moment kuptova se kënga ishte shitur dy herë nga kompozitori. Edhe pse unë kisha investuar për këtë projekt dhe videoklipi ishte gati, vendosa të tërhiqem. I uroj suksese këngëtares dhe dua t’u bëj thirrje të gjithë artistëve që të tregohen shumë të kujdesshëm me kontratat dhe të drejtat e autorit, që të mos përballen me situata të tilla në të ardhmen.”- tha Rozana në “Goca dhe Gra”.



