Ronaldo në kuotën e 700 golave, Ten Hag i mrekulluar: Shumica e lojtarëve s’i arrijnë 700 ndeshje

Erik ten Hag është i mrekulluar nga rekordi i yllit portugez, Cristiano Ronaldo.

Pesë herë fituesi i Topit të Artë, Cristiano Ronaldo ka arritur tashmë në kuotën e 700 golave (vetëm paraqitje me klube).

I pyetur për rekordin e lojtarit portugez, trajneri i Man United është shprehur i mrekulluar. Për të, është aq madhështore të shënosh 700 gola, kur sipas tij, disa lojtarë s’arrijnë as 700 paraqitje.

“Është fenomenale. Mendoj se Cristiano, ai e di se s’mund ta bëjmë këtë pa skuadrën, por duhet ta them se është paraqitje e madhe individuale”, ka thënë Ten Hag, përcjell lajmi.net.

“Nëse e arrini këtë, është e jashtëzakonshme – 700 gola për klub dhe kur e mendon jo aq lojtarë kanë arritur 700 ndeshje, dhe ai shënoi 700 gola. Kështu që, jam i lumtur për të, vërtetë dua t’ju them që e uroj atë”, shtoi tutje holandezi.

Cristiano Ronaldo, me 117 gola të tjera për kombëtaren e tij, është golashënuesi më i mirë në histori të futbollit dhe lider në kompeticionin e Champions League.