Ronaldo i lumtur me ‘pokerin’ e tij të parë në elitën e futbollit arab

Cristiano Ronaldo ka shkëlqyer në fitoren 0-4 të skuadrës së tij Al Nassr në udhëtim te Al Wehda.

Sulmuesi portugez ka filluar shkëlqimin në elitën e futbollit arab dhe katër golat e shënuar ndaj Al Wehdas konfirmuan se po kalon nëpër një formë të shkëlqyer.

Ronaldo është shprehur shumë i lumtur me golat e shënuar, por ajo që e bën edhe më të lumtur është se ishte në gjendje t’i ndihmonte bashkëlojtarët e tij për të arritur tre pikët.

“Jam vërtetë i lumtur për golat, por ajo që më bëri më të lumtur është se jam në gjendje t’i ndihmoj bashkëlojtarët për të fituar ndeshje”, tha Ronaldo.

Sulmuesi portugez arriti të shënoj golin e 500-të në karrierë në kampionate dhe për këtë është shumë i lumtur.

“Ndjenjë e shkëlqyeshme që kam shënuar katër gola dhe kam arritur golin tim të 500-të në kampionat në një fitore shumë solide nga ekipi”, shkroi Ronaldo.

38-vjeçari tani ka shkuar në kuotën e pesë golave në elitën e futbollit arab.

Sa i përket Al Nassr, skuadra ku aktivizohet sulmuesi portugez tani ka 37 pikë pas 16 ndeshjeve dhe mban vendin e parë në elitën e futbollit arab.