Ronaldo: Fitimi i Kupës së Botës do të ishte spektakolar

Ylli i Portugalisë, Cristiano Ronaldo ka folur në lidhje me Kupën e Botës ‘Katar 2022’.
Cristiano Ronaldo, kapiteni i Portugalisë, doli në një konferencë për shtyp për të komentuar në lidhje me Kampionatin Botëror.

Për 37 vjeçarin fitorja e këtij kompeticioni gjigant do të ishte spektakolare.

“Fitorja do të ishte magjike. Nuk më mungon asgjë, kam gjithçka. Fitimi i Kupës së Botës do të ishte spektakolar. Por të gjithë duan të fitojnë dhe vetëm një mund të fitojë. Ne do të punojmë të fokusuar për të qenë kampionë”, tha fillimisht portugezi.

Ronaldo çdo herë ka treguar formë të lartë kudo që ka qenë pjesë, por edhe është kritikuar.

Ndërsa, tani pak ditë para se të luajë ndeshjen e parë në pjesëmarrjen e tij të pesë në Botëror, ylli portugez ka disa fjalë për ata që kanë ende kritika drejt tij.

“Nëse në moshën 37 vjeç e 8 muaj më duhet t’i vërtetoj gjërat, do të shqetësohesha… Unë respektoj mendimet e njerëzve. Dua të kem një Botëror të mrekullueshëm për familjen time, për fansat e mi. Dua të fitoj, por nëse nuk e bëj, do të jem i lumtur për atë që kam bërë”, ishin fjalët e pesë herë fituesit të Topit të Artë.

Kujtojmë që në këtë Kupë të Botës Portugalia ndodhet në grupi H, së bashku me Uruguain, Koren dhe Ganën.