Romagnoli gati për derbin, Pioli tani ka në dispozicion kapitenin

Alessio Romagnoli në këtë pjesë të parë të sezonit ishte mungesa e madhe e Milanit, që gjithsesi ishte në gjendje ta kompensonte mospraninë e kapitenit. Merita shkon për trajnerin Stefano Pioli dhe më pas për çiftin mbrojtës të formuar nga Kjaer dhe Gabbia.

Tani Romagnoli është rikuperuar dhe ky është pa dyshim një lajm i shkëlqyeshëm për Milanin: për karakterin prej lideri të futbollistit, por edhe për zgjedhjet teknike.

Romagnoli është stërvitur me grupin të enjten për derbin ndaj Interit. Ai do të jetë në dispozicion të Piolit dhe nëse do ta nisë ndeshjen nga minuta e parë, do të jetë krah Kjaer.

Lëndimi i Romagnolit daton në muajin korrik, me rastin e ndeshjes që Milan luajti kundër Sassuolos. Problemet e në pulpën e djathtë e mbajtën jashtë formacionit për praktikisht tre muaj.

Milani ka marrë kritika në ditët e fundit të merkatos për mosblerjen e një qendërmbrojtësi (kërkohej nga tifozët dhe mjedisi kuqezi, në përgjithësi). U diskutuan shumë emra, por në fund bisedimet dështuan për secilin prej tyre. Tani që kthehet Romagnoli, situata është më e qetë. Pioli ka tashmë tre mbrojtës qendre në dispozicion.

Kujtojmë që Leo Duarte është ende i infektuar me Koronavirus, si Ibrahimovic (kanë gjithnjë e më pak mundësi për të qenë në derbi), ndërsa Mateo Musacchio do të qëndrojë për një kohë të gjatë në infermieri, pas një operacioni të ndërlikuar në kyçin e këmbës.