Roma shpërthen ndaj Serie A, nuk i shtyhet ndeshja me Atalantën: Një tjetër goditje për integritetin e kampionati

Nuk ka paqe mes Serie A dhe Romës dhe tema është e njëjtë, shtyrja e një ndeshje.

Klubi kryeqytetas kishte shpërthyer me një komunikatë kur lega Serie A kishte vendosur që t’i luanin 20 minutat ndaj Udineses të enjten, pasi vendimi i Romës ishte t’i lënë më vonë për shkak të angazhimeve në garat evropiane.

Tani sërish ka një përplasje për temën e njëjtë, për të shtyrë një ndeshje dhe Roma ka reaguar me një komunikatë.

“Një tjetër goditje për integritetin e kampionatit”, kështu e nis Roma reagimin pas përgjigjes negative për shtyrjen e ndeshjes me Atalantan, që do të luhet siç ishte planifikuar të dielën më 12 maj, pavarësisht kërkesës së klubit verdhekuq për ta zhvendosur atë për të hënën.

Kërkesa e Romës u bë pasi të dyja skuadrat janë të angazhuara në Ligën e Evropës dhe të dyja janë në garë në kampionat për një vend në Ligën e Kampionëve.

“Kjo kërkesë rrjedh jo vetëm nga kjo ndeshje (Atalanta-Roma) me qëllim kualifikimin në edicionin e ardhshëm të Ligës së Kampionëve, por edhe nga nevoja për të mbrojtur dhe garantuar integritetin e kampionatit të Serisë A, që jemi të sigurt se përfaqëson synimin tonë të përbashkët, për të ndërtuar një produkt me vlerë të besueshëm për të gjithë aktorët, nga institucionet e deri te tifozët”, ka shkruar Roma në komunikatën e tyre.