Roli i epidemisë COVID 19 në daljen e BDI-së me kërkesë për kryeministër!

Valon Elezi

Kryeministri shqiptar dhe sfondi i dështimit politik

Fushata e Bashkimit Demokratik për Integrim në zgjedhjet parlamentare të 15 Korrikut është ngritur në shtyllën e kërkesës për Kryeministër shqiptar! Sa është reale si kërkesë dhe sa është e realizueshme kjo gjë?!

1. Që BDI nuk posedon vijë të qartësuar dhe platformë politike të ndërtuar në kërkesat themelore të shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut, e dëshmon pikërisht ideja e Kryeministrit të tyre shqiptar. Para se Covid-19 të merrte hov dhe të shkaktonte anulimin e zgjedhjeve të 12 Prillit, në tavolinën e platformës politike të BDI-së nuk ekzistonte askund Kryeministri, dhe si ide u paraqit vonë, në muajin Qershor. Si duket e gjithë kjo, si rezultat i rrethanave që mund ta përcaktojnë fatin ndryshe më 15 Korrik. Të kërkosh Kryeministër shqiptar vetëm një muaj para zgjedhjeve, haptas shfaq dhe hedh në pah faktin se BDI nuk posedon strukturë ideore për politikën e saj që duhet të jetë në dobi të shqiptarëve, por, vetëm në dobi të një grupi interesi për qëllime të tyre të ngushta.

2. Në matematikat e kaluara zgjedhore, BDI e ka pasur të hapur mundësinë që të kërkojë dikastere që shqiptarët asnjëherë nuk i kanë gëzuar, por BDI nuk e ka bërë. Është Ministria e Financave, Ministria e Punëve të Brendshme, dhe disa drejtori që konsiderohen se kanë karakter specifik për të ruajtur vetëm elementin shtetëror maqedonas e ku, sipas tyre, shqiptarët nuk kanë çfarë kërkojnë aty. Të mos flasim edhe atë se në të gjitha Ministritë dhe shumë institucione tjera, avancimi i të punësuarve shqiptarë ka mbetur në numra dhe përqindje të mjerueshme. Shqiptarët, në Administratën Shtetërore për shembull, kanë përfaqësim tejet të dobët në pozitat udhëheqëse. Dhe pas gjithë kesaj, në vend se të jetë punuar që shqiptarët të shtrihen mirë në institucione me përgjegjësi dhe detyra udhëheqëse, kërkohet Kryeministri shqiptar! Kontradiktore apo? Kjo jep të kuptosh se kërkesa për Kryeministër është falso dhe jo e vërtetë.

3. Refuzimet e shumta dhe Naser Zyberi janë çështje në vete. U konfirmua edhe nga BDI se të shumtë e kanë refuzuar kërkesën që të jenë kandidat për Kryeministër. E pranoi Naser Ziberi, Naseri i cili jo më shumë e as më pak se dhjetë ditë para se të shfaqej emri i tij, për një medium maqedonas deklaroi se ideja për Kryeministër është fushatë dhe asgjë më tepër. Si u josh Naser Ziberi nuk e di, vetëm di se është një figurë me përvojë të bujshme politike por që edhe vet e din se ideja për Kryeministër është asgjë më shumë se një element propagande për fushatë. Si duket Naseri, dielli i të cilit në politikë ka perënduar, në CV-në e tij prej politikani, don ta fusë edhe faktin që ishte pjesë e një elementi puro-shqiptar, edhe atë, kërkesës për Kryeministër. Por Naseri e din se kjo ide është fushatë dhe asgjë tjetër. E dinte edhe para se të caktohej ai vetë.

4. Thirrjet për Kryeministër, janë thirrje patetike. Ideja e Kryeministrit shqiptar është populizëm dhe shfrytëzim i emocioneve të masës për të fituar sa më shumë vota dhe me këtë edhe zgjedhjet. Nuk do të futem aty se sa është e mundshme të realizohet, gjë që duket e vështirë. Patetike dhe imbicile është edhe sjellja e atyre që kinse e besojnë këtë ide, ndaj atyre që argumentojnë se është thirrje populiste për fushatë dhe asgjë tjetër. Zakonisht ithtarë të BDI-së të tjerët i etiketojnë dhe akuzojnë kinse qenkan kundër idesë për Kryeministër shqiptar, e që nuk është aspak e vërtetë, por, të realizosh ëndrrën e një kryeministri shqiptar dhe të bësh kërkesa false e populiste për të mbetur në pushtet janë dy gjëra të ndryshme.

5. Me idenë e Kryeministrit shqiptar, BDI don të arrijë dy gjëra. E para, me këtë thirrje, së bashku me ngjyrat e kësaj fushate, ku tani është prezente e kuqja dhe e zeza, ajo don të prek emocionin e shqiptarit të ngarkuar me halle, me elementin populist të maskuar me patriotizëm, pas të cilit fshihet vetëm uria për pushtet, dhe e dyta, pa marrë parasysh fitoi apo humbi zgjedhjet, BDI dëshiron të krijojë një sfond historik të suksesit e jo të dështimit, të një ideje madhore në krye me Kryeministrin. Pas kësaj, mos realizimi i kësaj ideje do të lejonte hapësira dhe terren propagandues kundër partive tjera politike, kinse këto të fundit e kanë kundërshtuar këtë ide, gjithnjë sipas BDI-së, ide me karakter kombëtar dhe në dobi të shqiptarëve. Me këtë, BDI, tani me sy real dhe objektiv, brenda vetes, e sheh fundin e saj. Goditja u mbetet shqiptarëve. Ndërsa në sfondin historik, BDI-ja, a do të shënohet si sukses apo dështim politik, ja lëmë kohës.