Rohani: Irani mund ta bllokojë qasjen e inspektorëve të KB-së

Presidenti iranian, Hasan Rohani sot deklaroi se Teherani mund ta bllokojë qasjen e inspektorëve të KB-së drejt instalacioneve bërthamore iraniane.

Rohani deklaroi se kjo mund të ndodhë nëse vendi i tij përballet me situatë të re.

“Do të vazhdohet trendi i inspektimeve që bëhen deri më sot, gjithsesi, nëse nuk përballemi me situatë të re”, tha Rohani gjatë takimit me shefin e diplomacisë evropiane, Zhozep Borel.

Vizita e Borelit në Iran, e para pas marrjes së detyrës, interpretohet si tentim më i ri i BE-së për ta ruajtur marrëveshjen bërthamore ndërkombëtare të Iranit dhe fuqive të mëdha botërore të vitit 2015.

Rohani tha se Irani është i gatshëm për angazhim me Evropën.

“Kur pala tjetër do t’i përmbushë në tërësi obligimet e veta, Irani do t’i kthehet respektimit të obligimeve të veta”, theksoi Rohani.

Britania e Madhe, Franca dhe Gjermania në janar e aktivizuan mekanizmin e posaçëm të marrëveshjes për ta detyruar Iranin për bisedime, ndërsa ky proces mund të rezultojë me kthim të sanksioneve të KB-së dhe BE-së për Teheranin.