RMV, në mesnatë nis fushata për zgjedhjet parlamentare

Në mesnatë në Maqedoni të Veriut nis fushata për zgjedhjet e 11-ta parlamentare. Bëhet fjalë për zgjedhje të rregullta parlamentare në të cilat janë regjistruar gjithsej 17 parti politike dhe koalicione, transmeton Portalb.mk.

Betejën kryesore do ta bëjnë koalicionet e udhëhequra nga VMRO-DPMNE dhe LSDM. Ndërsa betejë interesante pritet edhe në bllokun politik shqiptar, ku përfaqësuesit e bllokut opozitar të mbledhur në koalicionin VLEN do të përballen me koalicionin Fronti Evropian i udhëhequr nga BDI-ja, të cilët për herë të parë në historinë e zgjedhjeve shfaqen në koalicion parazgjedhor.

E Majta dhe partia e Maksim Dimitrievskit kanë shanse për vende në Parlament, ndërsa partitë e tjera politike dhe listat hyjnë në procesin zgjedhor me perspektivë mjaft të ulët për të siguruar ndonjë vend në Kuvend.

Për herë të parë në këtë proces zgjedhor, fushata për zgjedhjet parlamentare do të vazhdojë gjatë heshtjes për zgjedhjet presidenciale. Dje Qeveria e RMV-së solli vendim për shpalljen e 24 prillit dhe 8 majit si ditë jopune për të gjithë qytetarët, duke shtuar se nuk do të zëvendësohen.

Raundi i parë i zgjedhjeve presidenciale do të mbahet më 24 prill, ndërsa zgjedhjet parlamentare dhe raundi i dytë i zgjedhjeve presidenciale do të mbahen më 8 maj.