Ristoska: Lënda “Talir 2” mu mor për të shmangur konfiskimin e Pallatit të Bardhë, Gruevski duhej t’ia kthente paratë ‘Betonit”

Kjo lëndë më është marrë që palët e interesuara të mund ta arrinin rezultatin e dëshiruar, që është shmangia e konfiskimit, thotë ish-prokurorja Lençe Ristoska, e cila përfaqësoi lëndën “Talir 2” për plot shtatë vjet e gjysmë, e që me vendimin e fundit të Gjykatës Penale përfundoi me lirimin nga akuzat për ish-kryeministrin Nikolla Gruevski dhe me të edhe lirimin e pronës së ngrirë të VMRO-DPMNE-së, e cila sipas aktakuzës ishte fituar në mënyrë të paligjshme, transmeton Portalb.mk nga Kolegium.

Kjo është lëndë gjyqësore që ka të bëjë me ndërtimin e selisë së partisë VMRO-DPMNE në qendër të Shkupit, e njohur si “Pallati i Bardhë”. Në këtë lëndë Gruevski u akuzua për tejkalim të autorizimeve zyrtare dhe financim të paligjshëm të ndërtimit të selisë.

Ristoska parashtron pyetjen se si ndodh që të merren dy vendime të ndryshme, nëse provat për veprimet në të gjithë procedurën mbeten të njëjta.

“Në procedurën e parë, bazuar në të njëjtat prova, gjykata solli aktgjykim dënues për një vepër me paramendim – që do të thotë se provat për cakun dhe qëllimin me të cilin vepruan të pandehurit ishin pjesë e çështjes dhe çuan deri në dënim. Pikërisht kjo është arsyeja pse është e vështirë të mbahet konstatimi aktual se nuk ka pasur prova për qëllimin: të njëjtat prova tashmë e adresuan cakun për të cilin të pandehurit i kanë ndërmarrë veprimet, gjegjësisht qëllimin me të cilin vepruan, dhe kjo u përmend që në aktakuzën fillestare”, thotë ajo.

Katër vjet më parë Gjykata Penale solli aktgjykim të ndryshëm nga ai i djeshmi. Atëkohë ajo e dënoi Gruevskin me gjashtë vjet burg dhe sekuestrimin e selisë së partisë. Pasi Gjykata e Apelit e ktheu çështjen për rigjykim, pas katër vitesh dhe ndërrimit të prokurores Ristoska, Gjykata Penale ndryshoi mendim.

Në atë kohë vendimi i gjykatës u mor nga gjykytësja Daniella Aleksovska Stojanovska, e cila gjatë shqiptimit të aktgjykimit tha se në këtë rast të konkret, të pandehurit si persona përgjegjës të rangut më të lartë në partinë politike, ishin ngritur mbi ligjin.

“Interesat e ngushta partiake dhe personale kanë qenë motivi kryesor për veprimet që në këtë rast konkret i ndërmorën i pandehuri i parë Nikolla Gruevski, si kryetar, dhe i pandehuri i dytë Kirill Bozhinovski, si sekretar i përgjithshëm i partisë politike VMRO-DPMNE, duke i rrënuar kështu vlerat themelore të një shteti ligjor dhe demokratik. Me vendimin e gjykatës në këtë rast Gjykata i dërgon një mesazh publikut se në këtë shtet demokratik të gjithë janë të barabartë para ligjit, se askush nuk është i privilegjuar dhe të gjithë do të mbahen përgjegjës për pasojat që kanë shkaktuar duke shkelur ligjin”, tha gjykatësja Aleksovska Stojanovska në sallën e gjyqit më 8 qershor të vitit 2022.

Por, këtë herë, e njëjta gjykatëse, Daniella Aleksovska, në shpalljen e aktgjykimit deklaroi se për këtë rast duhet të merren parasysh ndryshimet në Kodin Penal (KP) nga viti 2023, të cilat e ndryshuan edhe aktakuzën. Kjo do të thotë se për shkak të zvogëlimit të afatit të parashkrimit të veprës penale dhe ndryshimit të veprës penale. Ajo gjithashtu konsideron se Prokuroria këtë herë nuk ka provuar përtej çdo dyshimi të arsyeshëm se i pandehuri Nikolla Gruevski ka kryer keqpërdorim të detyrës.

Në këtë kontekst Ristoska thotë se është fakt që ndryshimet në Kodin Penal patën ndikim në këtë lëndë, por anashkalohet një vërejtje kyçe.

“Aktakuza e ndryshuar përmbante edhe një veprim zbatues që nuk ekzistonte në versionin fillestar, detyrimin e Gruevskit, si kryetar i partisë, për t’i kthyer mjetet financiare të marra nga “Beton”-i në Buxhet dhe për ta kompensuar diferencën në vlerën e objektit në krahasim me vlerën reale të tokës, pikërisht për shkak të disproporcionit që gjykata e kishte përcaktuar tashmë në aktgjykimin e mëparshëm. Ky veprim korrespondon drejtpërdrejt me ndryshimet në Kodin Penal, pasi i referohet mospërmbushjes së një detyrimi të përcaktuar në Ligjin për Financimin e Partive Politike, ndërsa kjo formë nuk u prek nga dekriminalizimi dhe përgjegjësia sipas nenit 353 vazhdon, sidomos duke pasur parasysh provat se prona dhe përfitimet kanë përfunduar te partia politike VMRO DPMNE”, shpjegon Ristoska.

Në reagimin e saj ajo shton se gjykata deklaron në mënyrë eksplicite se provat kanë mbetur të njëjta si në procedurën e parë, se e ka mbajtur analizën dhe vlerësimin e atyre provave të pandryshuar dhe se ka mbetur “konsistente në vendimin e saj”. Por, nga i njëjti material provues, me të njëjtin vlerësim, gjykata dikur dha aktgjykim dënues dhe tani një aktgjykim lirues.

“Nëse nuk kanë ndryshuar as provat dhe as vlerësimi i tyre, mbetet pyetja se si e njëjta bazë provuese çon në dy rezultate të kundërta – shpjegimi se e gjithë kjo është vetëm pasojë e ndryshimeve në Kodin Penal nuk e heq këtë kontradiktë, sepse ndryshimi i përshkrimit ligjor nuk e ndryshon atë që e dëshmojnë provat. Kjo veçanërisht për pjesën e aktakuzës që i referohet detyrimit ligjor të Gruevskit sipas Ligjit për Financimin e Partive Politike, i cili nuk përmendet fare në shpjegimin që gjykata e shpalli publikisht”, thotë Ristoska.

Lënda parashkruhet pas një muaji, që do të thotë se VMRO-DPMNE është një hap larg kthimit të selisë së partisë nga konfiskimi nga shteti. Kjo mundësi u hap pasi në vitin 2022 Gjykata vendosi të konfiskojë 30 prona të tjera të VMRO-DPMNE-së, përveç Pallatit të Bardhë të njohur në qendër të Shkupit, për të cilat në procedurën e shkallës së parë të gjykimit u tregua se janë blerë me para të fituara nga një vepër penale. Ristoska rikujton se nëse do të kishte ndodhur një parashkrim, kjo mund të kishte pasur një ndikim të ndryshëm mbi mundësinë e konfiskimit.

“Konfiskimi i pronës është i mundur kur ndjekja penale parashkruhet, por nuk është i mundur pas një atkgjykimi të plotfuqishëm lirues. Prandaj, kjo rrjedhë ngjarjesh e bën të vështirë mundësinë për prokurorinë që të kërkojë konfiskim në një procedurë të veçantë, në rast të një aktgjykimi për lirim nga akuzat në shkallë të parë dhe pyetja kryesore është nëse do të pasojë një ankesë nga prokuroria dhe nëse, gjatë procedurës së ankimimit, Gjykatës së Apelit do t’i kërkohet të vendosë për konfiskimin, edhe pse çështja penale do të parashkruhet”, thotë Ristoska.

Sipas saj, shtyrjet e shpeshta të seancave kanë kontribuar që lënda të hyjë në një kornizë kohore gjatë shtatë viteve e gjysmë të fundit dhe të çojë në këtë rezultat, për të cilin ajo beson se është arsyeja kryesore pse iu mor lënda.

“Kjo situatë kontekstuale, një vendim në kundërshtim me atë fillestar, një pjesë e aktakuzës që nuk trajtohet në njoftimin publik të gjykatës, intervali kohor në të cilin merret vendimi dhe koha kur skadon afati i parashkrimit më çojnë në përfundimin se qëllimi i vetëm i një veprimi të tillë është ta bëjë më të vështirë procedurën e mëtejshme për konfiskimin e pronës. Kjo është arsyeja se pse mendoj se dënimi i Gruevskit në këtë rast është me interes dytësor për VMRO-DPMNE –në – ndjekja penale do të ishte parashkruar gjithsesi. Ajo që është thelbësore është se prona e fituar nga partia është pasojë e drejtpërdrejtë e veprimeve të Gruevskit të konstatuara në procedurë. Pikërisht për këtë arsye rezultati i pjesës penale dhe fati i pronës nuk mund të shihen veçmas: me një aktgjykim lirues bie poshtë edhe baza për konfiskim në procedurën penale. Narrativi se vendimi në njërën pjesë është i drejtë, ndërsa në pjesën tjetër vetëm pasojë e ndryshimeve në Kodin Penal, i ndan dy gjërat që janë të pandashme ligjërisht”, shton ajo.

Komenti i saj i fundit i referohet deklaratës së kryeministrit Hristijan Mickoski, i cili dje tha se me vendimin e fundit të Gjykatës beson që drejtësia është vënë në vend. Sipas qeverisë akuza për pasurim të paligjshëm të partisë është një rast i sajuar i persekutimit politik ndaj VMRO-DPMNE-së. Duke iu përgjigjur pyetjes së një gazetari, kryeministri Hristijan Mickoski deklaroi se VMRO-DPMNE ka qenë e ekspozuar ndaj persekutimit politik nga qeveria e mëparshme përmes, siç tha ai, “rasteve të sajuara” si “Talir 1” dhe “Talir 2”.

“Qëndrimi im është shumë i qartë. VMRO-DPMNE në atë periudhë ka qenë objekt i persekutimit politik dhe një lloj agresioni nga qeveria e kaluar. Ata shpikën raste që nuk ekzistojnë, si “Talir 1” dhe “Talir 2″. Gjykata ka marrë aktgjykim në pjesën që i referohet partisë politike VMRO-DPMNE, ndërsa ai aktgjykim është në përputhje me drejtësine dhe pritshmëritë e qytetarëve”, deklaroi Mickoski.

Sa i përket aktgjykimit lirues të paraardhësit të tij si lider i VMRO-DPMNE-së, Nikolla Gruevski, kryeministri Mickoski deklaroi se një vendim i tillë është pasojë e ndryshimeve në Kodin Penal, të miratuara gjatë Qeverisë LSDM-BDI.

“Nga ajo që munda ta lexoj nga arsyetimi i Këshillit Penal të Gjykatës Themelore Penale, mund të konstatoj se bëhet fjalë për pasojë nga ndryshimet në Kodin Penal të miratuara nga qeveria e kaluar e LSDM-BDI. Si rezultat i atyre ndryshimeve pati shumë amnisti politike, ndërsa do të pasojnë dhe shumë të tjera edhe në të ardhmen. Kur bëni një gabim një herë, ai bëhet rregull dhe ju ndjek. Sa i përket VMRO-DPMNE-së, mund të them se më në fund drejtësia u realizua”, theksoi Mickoski.

Gruevski dhe sekretari i përgjithshëm i qeverisë, Kirill Bozhinovski, në rastin “Talir” akuzoheshin se e kishin përdorur pozicionin e tyre të pushtetit si njerëzit e parë të partisë, e cila gjatë periudhës kritike ishte në pushtet (nga viti 2011 deri në vitin 2016), e kishin përdorur fuqinë e për të siguruar një seli të re të partisë me vlerë prej shtatë milionë eurosh dhe pak më shumë se dy milionë euro shtesë nga kompania e ndërtimit “Beton”.

Thelbi i aktakuzës ishte në pretendimin se kompania “Beton”, e cila ka marrë tendera dhe projekte nga shteti, ka ndërtuar një seli të re luksoze për partinë politike në pushtet, në atë kohë VMRO-DPMNE, dhe ka paguar një shumë të konsiderueshme parash.

Në këmbim, ajo ka vazhduar të marrë tendera, të cilët kur nuk financoheshin drejtpërdrejt nga shteti, i merrte si nënkontraktues.

Pas aktakuzës kompania u përball me probleme serioze financiare dhe në vitin 2023 filloi procedurat për likuidim.

Kronologjia e lëndës gjyqësore që akuzoi një parti politike për pasurim të paligjshëm

Lënda “Talir” është një nga lëndët më voluminoze të hapura nga ish-Prokuroria Publike Speciale (PPS), e cila u formua si rezultat i të ashtuquajturës Marrëveshje e Përzhinës. Gjatë pothuajse një dekade ajo ka pësuar ndryshime të rëndësishme, nga një hetim kundër 14 personave deri te ndarja e lëndës, marrëvshjet, parashkrimet, ndarja e procedurave dhe aktgjykimet e sotme.

Hetimi u hap në vitin 2017 nga prokurorja në Prokurorinë e atëhershme Speciale Publike me dyshimin se në periudhën 2009–2015 partia ka mbledhur para në mënyrë të paligjshme përmes presionit ndaj kompanive dhe personave fizikë, ndërsa më pas këto para janë legalizuar përmes pagesave nga një numër i madh donatorësh. Një vit më vonë prokurorët që e udhëhiqnin lëndën, Ristoska dhe Ljube Llape, e ndanë aktakuzën në dy lëndë të ndara. E para quhet thjesht “Talir”, ose “Talir 1”, dhe ka të bëjë me financimin e paligjshëm të VMRO-DPMNE-së. Në këtë lëndë u akuzuan gjashtë persona nga partia. Lënda e dytë, ose “Talir 2”, ka të bëjë me ndërtimin e selisë së VMRO-DPMNE-së (“Pallati i Bardhë”).

Rrënjët e lëndës “Talir 2” datojnë që nga viti 2008. Sipas aktgjykimit të mëparshëm, VMRO-DPMNE, e cila deri në vitin 2008 ndodhej në të ashtuquajturën “Shtëpi të Verdhë”, zotëronte 200 metra katrorë, por në vitin 2009 pas ripërpilimit të Planit të Detajuar Urbanistik (PDU) ka blerë një pronë për 110 euro për metër katror me një sipërfaqe prej rreth 1.200 metra katrorë. Sipas aktakuzës shitja është bërë në vitin 2009 me nënshkrimin e Mile Janakieskit në emër të Ministrisë së Transportit dhe Lidhjeve, e cila ia ka shitur të gjithë tokën VMRO-DPMNE-së përmes një marrëveshjeje të drejtpërdrejtë. Nga ana e partisë kjo marrëveshje është nënshkruar nga Martin Protugjer në rolin e Sekretarit të Përgjithshëm të atëhershëm.

I ashtuquajturi “Pallati i Bardhë” ndodhet në trekëndëshin midis ndërtesave gri me kënde të mprehta të hotelit “Best Western” dhe “Tehnometall-Vardar”.

Në vitet në vijim me disa ndryshime në PDU-në për Ringun e Vogël, madhësia e ndërtesës u rrit nga 700 metra katrorë fillestare në rreth 1.200 ose aq sa është madhësia e të gjithë parcelës së ndërtimit, duke kërcyer nga 25 në 29 metra, gjë që e rriti edhe numrin e kateve nga gjashtë me një kat përdhes në tetë me një kat përdhes dhe një nënkulm në të cilin më vonë u shtua një tarracë.

Sipas aktakuzës, kompania Beton ka pranuar të paguajë për prishjen e ndërtesës së vjetër (të ashtuquajturës Shtëpia e Verdhë), t’i mbulojë të gjitha shpenzimet e mbikëqyrjes, dokumentacionit dhe ta ndërtojë ndërtesën dhe t’ia dhurojë VMRO-DPMNE-së.

Në periudhën nga viti 2019 deri në vitin 2023 gjyqi për “Talir” ecte ngadalë dhe karakterizohej nga shtyrje të shumta, por edhe ndryshime të rëndësishme procedurale. Pas shuarjes së Prokurorisë Speciale Publike lëndën e mori Prokuroria për Ndjekjen e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit, ndërsa pati ndryshim edhe në prokurorët që e përfaqësonin çështjen. Ndërkohë, procedurat kundër të pandehurve që ishin të paarritshëm për autoritetet e zbatimit të ligjit, përfshirë këtu edhe Nikolla Gruevskin pas arratisjes së tij në Hungari, u ndanë dhe u zhvilloheshin veçmas.

Njëkohësisht aktakuza gradualisht u ngushtua, kështu që disa nga të dyshuarit fillestarë nuk u përfshinë më, disa procedura u ndanë, ndërsa për veprime të caktuara kaloi afati i parashkrimit. Me kalimin e kohës lënda u reduktua në një numër më të vogël të të pandehurve dhe u përqendrua kryesisht në çështjen nëse VMRO-DPMNE kishte mbledhur para në mënyrë të paligjshme dhe i kishte legalizuar ato përmes donacioneve.

Në prill të këtij viti lëndën e mori përsipër prokurori Kristijan Smilevski nga Prokuroria e Shkupit, pasi prokurorja Lençe Ristovska dha dorëheqje pas vendimit të shefit të Prokurorisë që t’i merren lëndët “Talir 1” dhe “Talir 2”.