Riorganizimi dhe ripozicionimi i faktori politik shqiptar në maqedoni – imperativ i çastit historik

Shkruan: Xhelal Zejneli

Çështja shqiptare në Maqedoni është çështje territoriale, është çështje e territorit të

pushtuar

           Në një shtet dyetnik siç është Maqedonia, bashkësia etnike e caktuar pozitën e vet
synon ta mbrojë në dy mënyra:
            – duke realizuar liri dhe të drejta të caktuara qytetare; ose
            – duke realizuar të drejtat kombëtare.
            Për liri dhe për të drejta qytetare pretendon pakica etnike apo minoriteti. Ndërkaq, një
bashkësi etnike që paraqet forcë demografike, krijuese, prodhuese, mbrojtëse, që posedon
dimension historik dhe që paraqet vlerë politike e intelektuale – siç janë shqiptarët në
Maqedoni – lufton për status politik. 
           Kudo në Ballkan, shqiptarët janë popull autokton. Popujt rrënjës gjithmonë synojnë të
drejta politike dhe jo liri apo të drejta qytetare.

            Statusi politik i shqiptarëve në Maqedoni mund të zgjidhet në disa mënyra:  
I.  Zgjidhja sipas Marrëveshjes së Ohrit – Marrëveshja e Ohrit shqiptarëve u
mundëson:     
            – Realizimin e të drejtave kulturore, siç janë: e drejta e arsimimit në gjuhën amtare,
në të gjitha nivelet e arsimit; dhe e drejta e kultivimit të traditave kulturore.
            – Realizimin e të drejtave kombëtare në nivel vendor, siç janë: përdorimi i gjuhës
shqipe me anë të përkthimit dhe përdorimi i cunguar i simbolit kombëtar.
            – Ligjet që i prekin interesat e bashkësisë etnike “joshumicë” të miratohen me të
ashtuquajturin parim të Badinterit. Me parimin e Badinterit nuk nënkuptohet vetoja klasike
apo tradicionale. Me të nuk nënkuptohet miratimi konsenzual i akteve juridike. Përveç kësaj,
në këtë vend ku përpos shqiptarëve jetojnë edhe minoritetet etnike si: vllehtë, romët, turqit,
serbët – parimi i Badinterit lehtë mund të keqpërdoret.   
            Me tri të drejtat e lartpërmendura, d.m.th. me të drejtat kulturore, me të drejtat
kombëtare në nivel vendor dhe me parimin e Badinterit, shqiptarët në Maqedoni nuk e kanë
statusin e popullit shtetformues.
            Me interpretimin e njëanshëm të Marrëveshjes së Ohrit nga VMRO-ja, shqiptarëve në
Maqedoni u rrezikohen dhe u vihen në dyshim edhe tri të drejtat e lartpërmendura, të
parashikuara me të. Rrjedhimisht shqiptarët, prej një bashkësie etnike me të drejta të
pjesshme, të mbrojtura me kushtetutë, shndërrohen në pakicë dhe në minoritet me të drejta të
nëpërkëmbura.  
           
II. Autonomia kulturore – Zgjidhja e të drejtave të shqiptarëve në Maqedoni
nëpërmjet një autonomie kulturore, kurrë nuk do të pranohet. Me një autonomi kulturore
shqiptarëve mund t’u mundësohen kryesisht të drejta kulturore, siç janë: arsimimi në të gjitha
nivelet në gjuhën shqipe, kultivimi i vlerave dhe i traditave kulturore folklorike, mediumet në
gjuhën shqipe… Prej vitit 2006 e këndej, nacionalistët sllavë tentojnë që shqiptarët t’i joshin,
madje jo me zhvillim kulturor, por me ndërtime infrastrukturore.
III. Autonomia politiko-territoriale – është një prej zgjidhjeve të mundshme të
çështjes shqiptare në Maqedoni. Ky lloj autonomie nuk mundëson subjektivitet politik
qendror të mjaftueshëm. Mbartës të shtetësisë do të ishin kryesisht maqedonasit.
Megjithëkëtë, në shtetet me hapësirë gjeografike të vogël siç është Maqedonia rrallëkund

praktikohet. Një zgjidhje si kjo, e dobëson kohezionin e shtetit dhe i nxit tendencat
centrifugale të bashkësive etnike. Si rrjedhojë, krijohen mundësitë e dekompozimit të tij.
IV. Kuvendi me dy dhoma dhe e drejta e përdorimit të vetos – Shqiptarët në kuvendin
shtetëror, për çështjet që kanë të bëjnë me interesat kombëtare, të kenë të drejtën e përdorimit
të vetos. Me fjalë të tjera, aktet juridike që i prekin interesat e shqiptarëve, të miratohen me
konsensus. Kjo zgjidhje politike do të bënte të mundur decentralizimin e mirëfilltë të
pushtetit qendror dhe subjektivitetin e plotë të shqiptarëve në shkallë vendore.      
            Me interpretimin e njëanshëm të Marrëveshjes së Ohrit nga pala maqedonase, në
Maqedoni nuk kemi një decentralizim të njëmendët të pushtetit qendror. Një pjesë e madhe
ingjerencave të pushtetit vendor vazhdojnë të jenë nën kompetencat e pushtetit qendror. Në
anën tjetër, shqiptarët për të pasur pushtet vendor vërtet të decentralizuar, duhet të
manifestojnë kapacitet administrues. Me hedhurinat nëpër rrugë dhe me çrregullimin e planit
urbanistik nuk dëshmohet potenciali udhëheqës. Në asnjë vend të botës së qytetëruar nuk
ndodh që në çdo hapësirë të gjelbër të ngrihet ndërtesë. Kuvendi me dy dhoma mund t’u
mundësojë shqiptarëve të drejta të plota në shkallë vendore si dhe të drejta të pjesshme në
shkallë qendrore, d.m.th. ato që kanë të bëjnë me të drejtat kombëtare themelore, përfshi
edhe ndarjen e drejtë të buxhetit të shtetit.
            Sipas zgjidhjes së lartpërmendur, shqiptarët do të ishin bashkësi etnike me të drejta
kombëtare themelore, të garantuara me kushtetutë, por nuk do të ishin popull konstitucional.
Trashëgues të shtetësisë, mbartës të shtetësisë dhe popull shtetformues, d.m.th. komb – do të
ishin maqedonasit.
            Zgjidhja e sipërthënë nuk e cenon karakterin unitar të shtetit, por shteti nuk është
tanimë monoetnik dhe centralist. Gjuha shqipe, përpos në organin ligjvënës të shtetit do të
përdorej edhe në atë ekzekutiv. Zgjidhja e sipërme e parandalon pozitën dominuese të
maqedonasve mbi shqiptarët.
            Zgjidhja e sipërthënë në asnjë mënyrë nuk i cenon, as i rrezikon interesat kombëtare
të popullit maqedonas. Përkundrazi, zgjidhjen e sipërthënë Maqedonia bëhet më e
qëndrueshme edhe më demokratike. Zgjidhja e lartpërmendur e statusit politik të shqiptarëve
është pothuajse identike me zgjidhjen e statusit të shqiptarëve të parashikuar në bazë të
Marrëveshjes së Ohrit, nën premisën që ajo të interpretohej drejtë, përkatësisht të mos
keqinterpretohej, të mos shtrembërohej apo të mos interpretohej njëanshëm.     
            Problemi shqiptar në Maqedoni sot, qëndron pikërisht në keqinterpretimin dhe në
shtrembërimin e Marrëveshjes së Ohrit, përkatësisht në interpretimin e njëanshëm të saj.
            Duke qenë se Marrëveshja e Ohrit paraqet zgjidhje të pjesshme të çështjes shqiptare
në Maqedoni dhe duke qenë se interpretimi i njëanshëm i saj këtë zgjidhje të pjesshme akoma
më shumë e diskrediton, atëherë rezulton fakti se ultra-nacionalistët maqedonas: tentojnë ta
mohojnë luftën e 2001-shit, nuk duan ta njohin UÇK-në dhe kanë për qëllim ta
komprometojnë krahun politik të luftës.
Duke qenë se Marrëveshja e Ohrit u hartua në prani të faktorit politik
ndërkombëtar influent, atëherë është detyrë e tyre të ndërhyjnë menjëherë për ta ndaluar
diskreditimin e saj.
            Po qe se nuk ndërpritet nëpërkëmbja e Marrëveshjes, atëherë faktori politik shqiptar
duhet të riorganizohet. Me fjalë të tjera, çështja shqiptare në Maqedoni mund
të radikalizohet.
V. Federalizimi i Maqedonisë – Pozita e shqiptarëve në Maqedoni mund të zgjidhet
edhe duke ua mundësuar atyre statusin e popullit shtetformues, që mund të realizohet
nëpërmjet federalizmit të saj.

          Për të qenë shqiptarët popull shtetformues, nevojitet që Maqedonia të përkufizohet me
kushtetutë si vend i dy popujve: i popullit shqiptar dhe i popullit maqedonas. Me këtë
nënkuptohet që:  
          
– Gjuha shqipe të jetë gjuhë zyrtare në tërë territorin e vendit;
          – Gjuha shqipe të përdoret gjatë komunikimit ndërkombëtar;
          – Simbolet e shtetit, d.m.th. flamuri, himni dhe stema – t’i përmbajnë në vete vlerat
historike, politike dhe kulturore të të dy popujve;
          – Kuvendi i shtetit të përbëhet prej dy dhomave: dhomës së bashkësive etnike; dhe
dhomës së qytetarëve;
          – Në dhomën e bashkësive etnike, të gjitha ligjet të miratohen sipas parimit të
konsensusit. Me fjalë të tjera, secila nga bashkësitë etnike të ketë të drejtën e vetos;
          – Kontributi në krijimin e buxhetit të shtetit të jetë në përputhje me potencialin
demografik dhe ekonomik të të dyja bashkësive etnike;
          – Ndarja e buxhetit të shtetit të bëhet në përputhje me përqindjen e popullsisë të
bashkësisë etnike shqiptare;
          – Decentralizimi i pushtetit qendror dhe subjektiviteti politik, ekonomik dhe kulturor i
bashkësive etnike në shkallë vendore.
          Në nivel vendor, të dyja bashkësitë etnike – shqiptarët dhe maqedonasit – krahas
simboleve shtetërore të përbashkëta, do të kishin të drejtën e përdorimit të simboleve
kombëtare të veta – flamujve kombëtarë, të himneve kombëtare dhe të stemave kombëtare.
Zgjidhjet e mësipërme nënkuptojnë federalizmin e Maqedonisë. Në Maqedoninë
federale shqiptarët do të ishin faktor politik vendimmarrës në nivel qendror.
Federalizimi i një shteti, në rastin konkret i Maqedonisë, nuk nënkupton me
domosdoshmëri edhe krijimin e kufijve të brendshëm. Ka shtete federale me kufij të
brendshëm, por ka edhe të shtete që nuk kanë kufij të tillë. 
            Shtete federale, përkatësisht konfederale nuk janë vetëm Belgjika apo Zvicra. Të tillë
shtete kemi edhe në rajon. Bosnja dhe Hercegovina për shembull, përbëhet prej dy
entiteteve dhe tre popujve konstitutivë. Entitete janë: Federata Muslimano-Kroate, me 51% të
territorit të përgjithshëm dhe Republika Serbe, me 49% të tij. Popuj konstitutivë janë:
boshnjakët (myslimanët) – me 44% të popullsisë së përgjithshme, serbët – me 33% dhe
kroatët – me 17%. Janë edhe do minoritete – 6% (këto të dhëna të vitit 1992 përputhen 99%
me të dhënat e vitit 2008). Të tria gjuhët, d.m.th. boshnjakishtja, serbishtja dhe kroatishtja
janë zyrtare. (Politika zyrtare serbe, kombin boshnjak dhe gjuhën boshnjake e njeh vetëm
përballë ndërkombëtarëve. Përndryshe shkolla serbe nuk njeh komb dhe gjuhë boshnjake).
Me fjalë të tjera, Bosnja dhe Hercegovina përbëhet prej dy njësive politiko-territoriale dhe
prej tre popujve shtetformues. Derisa serbët kanë entitet të veçantë, myslimanët dhe kroatët
kanë entitet të përbashkët. Edhe kroatët duan entitetin (territorin) e vet, ndaj me zgjidhjen e
Dejtonit nuk janë të kënaqur. Uashingtoni dhe Berlini duket sikur i thonë Zagrebit: Me
ndihmën e “Stuhisë” i dhamë fund separatizmit serb në Kroaci. Rrjedhimisht, kroatët në BH
duhet të pajtohen me zgjidhjen e Dejtonit”.
VI. Maqedonia me dy entitete – Çështja shqiptare në Maqedoni mund të zgjidhet edhe
nëpërmjet krijimit të një Maqedonie me dy entitete, d.m.th. me dy njësi politiko-territoriale:
me entitetin shqiptar dhe me entitetin maqedonas. Maqedonia me dy entitete do të përbëhej
prej dy kombeve: prej kombit shqiptar dhe atij maqedonas. Kufijtë e brendshëm të entiteteve
nuk kanë karakter ndërkombëtar. Kufiri i entiteteve në fakt është administrativ.
            Mirëpo, krijimi i entiteteve nënkupton luftë për territore. Pothuajse kurrë në histori
nuk ka ndodhur që territoret të përvijohen pa luftë të përgjakshme. Lufta për Maqedoninë do

të shpinte në bellum omniem in omnes. Uashingtoni dhe Berlini nuk do ta lejonin një luftë të
tillë, rrjedhimisht as edhe zgjidhje radikale. 
            Dy kombet që e përbëjnë shtetin me dy entitete, në një moment të caktuar historik,
mund të ndahen, qoftë me luftë, qoftë në rrugën paqësore. Serbia për shembull, në fillim të
viteve ’90 të qindvjeçarit XX, shkaktoi katër luftëra: në Slloveni (lufta zgjati dy javë), në
Kroaci, në Bosnjë dhe Hercegovinë dhe në Kosovë. Ndërkaq, Çekosllovakia që ishte shtet
federal me dy njësi politiko-territoriale u nda në rrugën paqësore.    
            Çështja shqiptare në Maqedoni nuk është çështje e pakicës apo e minoritetit, nuk
është çështje e të drejtës së zbatimit të parimit të Badinterit apo të vetos në Kuvend, nuk
është çështje e njohjes së statusit të popullit shtetformues apo e federalizmit të vendit. Nuk
është as kontest territorial. Çështja shqiptare në Maqedoni është çështje territoriale, është
çështje e territorit të pushtuar.

VII. E drejta për vetëvendosje – Një mundësi tjetër e shqiptarëve në Maqedoni është
edhe e drejta e tyre e natyrshme për vetëvendosje. Kjo e drejtë është historikisht e
justifikueshme, për arsye se:
           
– Shqiptarët, në hapësirë të caktuar, banojnë në mënyrë kompakte;
            – Shqiptarët kufizohen me vendin amë – Shqipërinë;
            – Me maqedonasit nuk i lidh as gjuha, as kultura, as tradita dhe as feja;
            – Ç’prej vitit 1912, përkatësisht 1944 deri më sot, shqiptarët në Maqedoni kanë qenë
populli më i shtypur në kontinent;
            – Maqedonasit ndaj shqiptarëve, njësoj si serbët, janë të ngarkuar me paragjykime;
            – Sot e kësaj dite, maqedonasit tentojnë ta ruajnë pozitën dominuese mbi shqiptarët;
            – Sot e gjithë ditën maqedonasit synojnë t’i mbajnë shqiptarët në pozitë inferiore dhe
t’i shndërrojnë në koloni;
            – Duke qenë popull me identitet të diskutueshëm, maqedonasit janë në
mosmarrëveshje me fqinjët. Kjo – pa fajin e shqiptarëve – e zvarrit procesin euro-integrues të
këtij vendi.
Po të realizohej plani i kriminelëve serbë – kryetarit Tomisllav Nikoliq dhe
kryeministrit Ivica Daçiq për ndarjen e Kosovës, do të çelej kutia e Pandorës, me pasoja për
tërë rajonin, përfshi edhe Maqedoninë.