Haradinaj: E vlerësoj gatishmërinë e Thaçit që t’i përgjigjet pozitivisht ftesës së Speciales

Kryetari i partisë Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, ka thënë se e vlerëson lartë gatishmërinë e Presidentit Hashim Thaçi që t’i përgjigjet pozitivisht ftesës për intervistim nga Gjykata Speciale.

Ai ka shtuar se lufta e popullit shqiptar, të rreshtuar përkrah UÇK-së ishte e drejtë, vlera e së cilës, pavarësisht përpjekjeve për ta dëmtuar, nuk do t’i humbë as sot, e as kurrë, njofton Klan Kosova.

“Shqiptarët kanë bërë luftë të pastër dhe të drejtë, në mbrojtje të pragut të shtëpisë, dinjitetit dhe Atdheut. Në çdo rrethanë përgjatë tërë historisë, kemi dëshmuar pjekuri, guxim, mikpritje e bashkëpunim, e këtë e dëshmon edhe gatishmëria jonë ani pse nga pozita e viktimës, t’i përgjigjemi thirrjeve të drejtësisë sado të pa drejta qofshin ato”.

“E vlerësoj lartë gatishmërinë e presidentit Thaçi që t’i përgjigjet pozitivisht ftesës për intervistim nga Gjykata Speciale. Lufta e popullit shqiptar, të rreshtuar përkrah UÇK-së ishte e drejtë, vlera e së cilës, pavarësisht përpjekjeve për ta dëmtuar, nuk do t’i humbë as sot, e as kurrë. Nuk i kemi ikur asnjëherë ballafaqimit me drejtësinë sa herë ajo e ka kërkuar këtë, pa marrë parasysh pozitat tona shtetërore, i jemi përgjigjur dhe do t’i përgjigjemi”.

“Nuk ekziston asnjë gjyq që mund ta gjykojë përpjekjen e një populli për të jetuar si gjithë të tjerët të lirë në tokën e vet”.