Agim Vuniqi
Historikisht, gruaja në Kosovë dhe Shqipëri ka qenë shtylla e heshtur e mbijetesës, por njëkohësisht edhe viktima kryesore e një patriarkati të egër dhe e strukturave sociale shtypëse. Për shekuj me radhë, sakrifica e saj është marrë si e mirëqenë, ndërsa zëri i saj është izoluar brenda mureve të shtëpisë. Megjithatë, vitet e fundit po dëshmojnë një paradoks të jashtëzakonshëm: përkundër barrierave historike dhe abuzimit sistematik, gratë shqiptare po korrin suksese kulminante në çdo sferë të jetës në rrafshin ndërkombëtar. Nga triumfet e arta në sportet olimpike dhe ato luftarake, e deri te dominimi global në muzikë, kulturë dhe shkencë, vajzat tona po e zbardhin fytyrën e kombit përpara botës.Ky kontrast i madh – mes suksesit gjenial të gruas dhe mendësisë penguese të një pjese të shoqërisë – lind nevojën emergjente për një lëvizje të organizuar politike. Kur shohim emra si Dua Lipa dhe Rita Ora që dominojnë industrinë botërore të muzikës, apo xhudistet Majlinda Kelmendi, Distria Krasniqi dhe Nora Gjakova që shkruajnë historinë olimpike, kuptojmë fuqinë e pakufishme të gruas kosovare. Ky dominim u vulos sërish në unazën e boksit nga Donjeta Sadiku, e cila në Lojërat Mesdhetare shkroi historinë duke fituar medaljen e artë për Kosovën në një finale epike. Po ashtu, në sferën e shkencës dhe teknologjisë, rasti i Mira Muratit – vajzës nga Vlora që udhëhoqi revolucionin e ChatGPT dhe sot drejton kompaninë e saj miliardere në majat e Inteligjencës Artificiale në SHBA – dëshmon se intelekti dhe truri shqiptar ka fytyrë gruaje.Fakti që këto vajza rrëzojnë përtokë çdo stereotip të vjetër patriarkal tregon se ato nuk janë të kufizuara vetëm në rolet tradicionale. Për këtë arsye, Kosova dhe Shqipëria kanë nevojë për një platformë të ngjashme me lëvizjen masive “Ogólnopolski Strajk Kobiet” (Greva e Grave) në Poloni. Një lëvizje apo parti e tillë e udhëhequr nga gratë nuk do të synonte vetëm përfaqësimin sipërfaqësor në institucione, por do të kishte si mision kryesor dhe strategjik edukimin dhe emancipimin e burrave dhe djemve në hapësirën mbarëshqiptare.Nëse Polonia tregoi se si solidariteti i grave mund të lëkundë themelet e një politike konservatore, një parti e grave në Kosovë dhe Shqipëri do të shërbente si një agjent i domosdoshëm i ndryshimit kulturor. Edukimi i burrave nuk është një akt ndëshkimi, por një akt shërimi për shoqërinë. Për sa kohë që suksesi i një gruaje shihet si “kërcënim” apo për sa kohë që dhuna në familje dhe abuzimi mbeten plagë të hapura, zhvillimi i përgjithshëm i kombit tonë do të mbetet i gjymtuar. Vajzat tona që sot udhëheqin shkencën, artin dhe ringun sportiv botëror, nuk mund të kthehen në shtëpi duke u frikësuar nga hija e kanunit, nga gjykimi moral apo nga mungesa e sigurisë institucionale.



