Fejzi HAJDARI
Rama nuk po lufton më vetëm për pushtetin në Shqipëri. Lufta e tij duket se po zhvillohet edhe jashtë Shqipërisë.
Në korridoret diplomatike. Në lobet. Në aleancat ndërkombëtare.
Në OKB, Rama zgjodhi të flasë për antisemitizëm. Por pse?
A është më e lehtë të quash kritikën “antisemitizëm”, sesa t’u përgjigjesh kritikëve?
“Ku dhemb dhëmbi, shkon gjuha.”
Shqiptarët nuk po kërkojnë armiq imagjinarë.
Po kërkojnë përgjigje: për tokat, për pronat, për investimet, për marrëveshjet, për Vlorën, për bregdetin…
Për çdo marrëveshje që prek pasurinë publike.
Dhe këtu nuk ka rëndësi nëse investitori është izraelit, amerikan, arab apo europian.
Rëndësi ka transparenca. Kush përfiton? Sa përfiton? Çfarë merr shteti? Çfarë humbin qytetarët?
Këto janë pyetjet dhe jo antisemitizmi, jo etiketat, jo propaganda diplomatike…
Kur pushteti nuk përgjigjet për pyetjet e qytetarëve, tenton të ndryshojë pyetjen, por megjithatë pyetja mbetet.
Dhe shqiptarët kanë të drejtë ta bëjnë, për shkak se Shqipëria nuk është pronë private e askujt.



