Rikujtimi për “derën e mirë”

Arbër Çeliku
Metafora e derës haset në shumë gjuhë të botës, por me konotacione të ndryshme kuptimore. Në historinë gjermane, “dera e mirë” domosdoshmërisht të rikujton atentatorin neonazist të Halle-s, i cili u pengua nga dera e ahut për të vrarë mbi 50 njerëz, të cilët ishin duke u falur në sinagogë. Ishte i njëjti dru i fuqishëm ahu, i cili nuk e ndaloi tërbimin fashist të huliganëve maqedonas më 27 prill 2016, duke vënë kështu në rrezik jetën njerëzore dhe duke përdhosur keqas demokracinë. Presidenti i Gjermanisë Steinmeier e rikujtoi derën e sinagosës në Halle si “parandalimin e veprës së djallit”, kurse ne, të ndarë partiakisht si ngahera, sa e mallkojmë, aq dhe e relativizojmë ligësinë e derës së parlamentit të Maqedonisë së Veriut. Ç’është e vërteta, dera është e mirë, njëjtë si ajo e sinagogës në Halle të Gjermanisë, por dora që e hapi atë ishte e ligë dhe, ajo dorë vazhdon ta përhapë lirshëm ligësinë në mesin tonë.
Në korpusin zakonor shqiptar, metafora “derë e mirë” ka luajtur një rol të rëndësishëm në formën tonë të jetesës. Sidomos në rrafshin e interesit personal, ne vazhdojmë ta kultivojmë në mënyrë fanatike nocionin e “derës së mirë”. Secili sot interesohet që vajzës së vet t’i gjejë një djalë nga “dera e mirë” dhe anasjelltas, por fatkeqësisht jo edhe në rrafshin makro shoqëror. Këtu e sa dekada me radhë, po na udhëheqin njerëz “nga dera e ligë” dhe, çuditërisht, të gjithë ne, nuk veprojmë si me fëmijët tanë. Përnjëherë “dera e mirë” shndërrohet në një nocion abstrakt, për më tepër, në një simbol të indiferencës tonë kolektive. Mbase fajin e ka imazhi, i cili është përthyer aq keq në perceptimin tonë, sa ka arritur të na shkaktojë një tërbim kolektiv.
Fundja, dera është thjesht një dru, por ne jemi nga mishi dhe gjaku: dimë, ndiejmë dhe besojmë.
Apo ndoshta vetëm shtiremi si të tillë?!

Loading...