Rijaseti i BFI-së: Ramazani 2021 sipas protokolleve nga ministria e Shëndetësisë

Të enjten, 25.03.2021, u mbajt mbledhja e Rijasetit të Bashkësisë Fetare Islame të RMV me rend dite “diskutimin rreth propozim programit të punës dhe aktiviteteve të Ramazanit 2021”.
Pas diskutimit të frytshëm dhe shumë konstruktiv, Rijaseti i BFI të RMV solli vendim të njoftojë të gjitha muftinitë, organet dhe institucionet e saja si dhe të gjithë besimtarët e vendit me sa vijon:
1. Muaji i Ramazanit fillon më 13.04.2021, e martë, respektivisht dita e trembëdhjetë e prillit është dita e parë e agjërimit të muajit të Ramazanit. Namazi i teravisë në të gjitha xhamitë propozohet të fillojë menjëherë pas thirrjes së ezanit të jacisë, ngaqë në kohën verore namazi i jacisë është më vonë. Udhëzohen të gjithë imamët që në ligjëratat e tyre të përmbledhin mesazhin në kohëzgjatje më të shkurtër me qëllim mbrojtjen e besimtarëve.
2. Zekati dhe sadekatul fitri edhe më tutje mbesin burim kryesor i mirëmbajtjes së institucioneve të SHMI “Medreseja Isa Beu” dhe Fakultetit të Shkencave Islame në Shkup. U miratua që edhe këtë Ramazan Sadekatul Fitri të jepet në tri kategori edhe ate: kategoria e parë – 300 denarë; kategoria e dytë 200 denarë dhe kategoria e tretë 150 denarë,
3. Çdo nëpunës të jetë syçelë ndaj manipulimeve të ndryshme që ndodhin me çështjen e distribuimit të Zekatit dhe Sadekatul Fitrit në vende joadekuate, andaj marrë parasysh rëndësinë e këtyre dy burimeve në mirëmbajtjen e institucioneve fetare, çështja e Zekatit dhe sadekatul fitrit duhet të shpjegohet në mënyrë të qartë e të argumentuar dhe të apelohet te popullata muslimane që Zekatin dhe Fitrat t’ua japë institucioneve edukativo-arsimore të Bashkësisë Fetare Islame, pesë medreseve dhe Fakultetit të Shkencave Islame, dhe kështu të ndihmojnë në ngritjen e ardhmërisë islame në trojet tona.
4. Të jepet mund i veçantë që gjatë ligjëratave të jepen porosi të shenjta që ngritin vetëdijen mbi Islamin, unitetin e muslimanëve në trojet tona, vatanin, lirinë, dijen, shkencën, përparimin islam dhe shumë çështje tjera me karakter aktual dhe kyç për ardhmërinë tonë islame në këto troje.
5. Gjatë muajit të Ramazanit do të ketë delegacione dhe komisione të ndryshme në nivel të BFI-së dhe Muftinive, andaj kërkohet që organizimi i këtyre komisioneve të bëhet ashtu siç duhet dhe të realizohet në mënyrën më të mirë.
6. Marrë parasysh se këto dy Ramazanet e fundit jemi të detyruar të jetojmë me prezencën e virusit korona, BFI urdhëron të gjithë organet, institucionet dhe nëpunësit e saj të respektojnë rekomandimet e institucioneve përkatëse shëndetësore për mbrojtjen nga virusi dhe mbrojtjen e vetes dhe xhematit.
7. Që nga 1 marsi ka filluar zyrtarisht regjistrimi i popullatës së Maqedonisë së Veriut, duke filluar nga diaspora dhe që nga 1 prilli me qytetarët rezidentë të vendit. Andaj, me këtë rast, marrë parasysh rëndësinë që ky proces ka për të gjithë besimtarët e vendit tonë, apelojmë te të gjithë nëpunësit që të njoftojnë xhematin me rëndësinë e regjistrimit dhe të ndikojnë pozitivisht në zhvillimin e tij.
8. Udhëzohen të gjithë imamët dhe këshillat e xhamive që, brenda kushteve dhe mundësive, të shfrytëzohen hapësirat e jashtme të xhamive për kryerjen e aktiviteteve dhe ibadeteve gjtihkund ku është e mundshme.
Në mbledhje u diskutua për të gjitha aktivitetet e propozuara dhe Anëtarët e Rijasetit, njëzëri miratuan Programin e Ramazanit 2021 që do duhet të realizohet në nivel të Rijasetit, Muftinive dhe Xhemateve dhe që përfshijnë: Parapërgatitjen për muajin e Ramazanit;Vizitën e xhemateve nga ana e administratës; Vizitën e xhemateve nga ana e nëpunësve fetarë – imamëve dhe vaizave; Organizimin i tribunave e shkencore; Organizimin e manifestimeve për ditët e shënuara; Programin e aktiviteteve në mjetet e informimit; Aktivitetet për gjininë femërore; Aktivitetet fetare në bashkëpunim me diasporën; Angazhimin e nxënësve të Medresesë dhe studentëve të Fakultetit të Shkencave Islame; Leximin e Kur’anit Famëlartë –mukabeles; Shpërndarjen e fletëpagesave të Sadekatul Fitrit dhe imsakijeve; Disa vendime unike të cilat duhet realizuar gjatë Ramazanit në tërë territorin e Maqedonisë së Veriut;
Të gjitha aktivitetet e parapara, për shkak të pandemisë, parashihen të organizohen në përputhje me protokollet dhe rregullat e parapara nga Ministria e Shëndetësisë dhe Komisioni për Sëmundje Infektive, me qëllim mbrojtjen e besimtarëve nga virusi korona.
Aktivitetet në fjalë do realizohen nëse nga institucionet përkatëse shtetërore nuk nxirret ndonjë urdhër për kufizim të lëvizjes së lirë ose për pezullimin e grumbullimeve.
Krahas këtij programi, të gjitha Muftinitë lihen të lira për aktivitete shtesë që mund t’i parashohin në bashkëpunim me xhamitë apo nëpunësit e tyre.
Programi i aktiviteteve do jetë i disponueshëm së shpejti për të gjithë të interesuarit në webfaqen tonë www.bfi.mk
Për çdo ndryshim eventual besimtarët do të njoftohen në kohë nga muftinitë përkatëse.
Rijaseti i Bashkësisë Fetare Islame të RMV