Respice, adspice, prospice!

Shkruan: Arben Taravari

Ashtu si modestia menjëanë, isha nga të parët që guxoja dhe flisja për një kohë post-pandemike, ashtu duket se po kaq shpejt erdhi ky moment ku tashmë shtete të superfuqishme botērore po lirojnë masat restriktive, kush më shpejt e kush më ngadalë por të gjithë po shkojnë drejt rikthmit të jetës së “dikurshme”.
Mirëpo ironikisht ka shumë shtete e pushtete që nuk duhet të kthehen aty ku ishin, e për më tepër popujt e tyre të palumtur janë treguesi kryesor që flasin për qeveri të pasuksesshme. Një nga këta vende është Maqedonia. Do ishte qesharake dhe krejt e padrejtë që ne të riktheheshim në ditët ku vendet e punës të kërkonin hipotekimin e dinjitetit, ku vjedhja e votave, domethënë grabitja e të drejtës së secilit për të vendosur, ishte gati një normë në zgjedhjet tona. Nuk mendoj se asnjë nga qindra e miliona shtetas të ndershëm të këtij vendi, do të donin që të kthehet prapë dita kur për ata vendoste një grup hajdutësh, të cilët më pas ishin padronët që mund të të shkatërronin jetën me një të rënë të lapsit, madje me një të rënë të gishtit, pasi shumica e tyre ishin analfabetë dhe nuk është çudi që të firmosnin me gisht! Por pikërisht ajo gjurmë gishti, ajo kishte forcën perfide që të të hiqte nga puna menjëherë, të të persekutonte deri në atë pikë sa të mbetej ja t’i përuleshe dhe t’i puthje këmbët pushtetetarit si të skllavi pronarit, ose të merrje jetën në valixhe dhe të niseshe rrugēve të botës, ashtu si kanë vepruar shumë këto vitet e fundit sidomos.
Pra, do të ishte absurde qe të pretendohej rikthim aty ku nuk donim të ishim. Mendoj që kjo periudhë ka shërbyer si një fushatë reflektimi për secilin nga ne, që të kuptojmë se sa të lehtë e kemi që të paktin të nisim ndryshimin. Askush nuk mundet të vendosë për ne, askush nuk mund të jetë me më shumë të drejta se tjetri dhe askush nuk mund të vendosë mbi cilësinë e jetës tënde përveç teje!
Pushteti është punë, ndoshta një nga punët më të vështira në botë sepse përgjegjësia është e madhe, të punësuarit janë ata që garojnë në zgjedhje për të fituar këtë vend. Ai që vendos se kush do të hyjë në punë është populli dhe vetëm populli. Kaq e thjeshtë është kjo punë, që nga formimi i shtetit demokratik e deri sot nuk ka pasur ndonjë filozofi të madhe, por fatkeqsia ka qenë që në shoqëri të caktuara, si ēshtë edhe kjo e jona, ka pasur individë të cilët kanë pasur kurajon kriminale të gënjejnë popullin dhe ta marrin peng duke vazhduar gënjyer, shantazhuar, kërcënuar e deri duke kryer vrasje e zhdukje të individëve. Ky ēshtë një kurth i vjetër, i cili besoj se pati kohën të kuptohet dhe natyrisht të eleminohet.
Në eksperiecat perendimore dhe demokratike të marrësh një funksion publik domethënë të të shtohet përgjegjësia, konsiderohen detyra të vështira me plot përgjegjësi, madje sa më i lartë posti aq më i madh halli, por tek ne është krejt ndryshe. Këtu sa më i madh posti aq më shumë rritet llogaria bankare. Në të shkuarën jo të largët të kësaj pandemie, ishte normale dhe s’di pse e justifikueshme që ministrat, deputetët, lider partish me stazh të gjatë, kryeministra apo presidentë, kryetarë komunash apo drejtues ministrish, të kishin të paktën 2 shtëpi (njëra pushimi), disa makina, ose një por të personalizuar nga fabrika me vlerë marramendëse. Në rrotat dhe ulëset e makinave gjendeshin të mbajtura peng rrugë, shkolla dhe spitale të pandërtuara! A ishte normale që pjesa më e madhe e politikanëve që vinin në pushtet të bëheshin menjëherë super të pasur, jo rrallë të hapnin bizneset e tyre?!
Unë shkruaj edhe nga pozita e kryetarit të Komunës së Gostivarit, duke ushtruar këtë detyrë prej disa vitesh kam pasur mundësinë të shoh me sytë e mia, shpenzimet absurde të përcaktuara për funksionarët! Në një vend ku shumica e njerëzëve janë në kufirin e mbijetesës a ka qenë normale që pushtetarët të kenë të lejuara me ligj shifra aspak të drejta dhe aspak të nevojshme për “shpenzime” ekstra! Makinat zyrtare në Maqedoni do të bënin xheloz edhe Donald Trump-in, presidentin e vendit më të fuqishëm në botë, ato duken si pjesë e eskortave të yjeve të Hollivudit, ndërkohë që kryeminstri hollandez shkon në punë me biçikletë e në Zvicër me transport publik!
Çfarë ishte ky luks absurd, kriminal dhe qesharak që karakterizonte pushtetin politik këtu tek ne?!
Populli jetonte në varfëri e shikonte si i mpirë pushtetin që jetonte në luks!
Besoj se kjo pandemi na ka ndihmuar të arsyetojmë dhe të mos përsërisim gjendjen ku ishim! Uroj në zgjedhjet më të afërta të punësohet energjia e re e ndryshimit, të kërkohet llogari deri më një dhe asnjë pushtetar mos të ketë fatin e të çuditshmive që kur vjen në pushtet, por me përgjegjësi të punojë që ky vend të jetë i lumtur,dhe e dini pse?! Sepse e meriton! Ka ardhur dita ku të gjithë ata që rronin poshtërsisht mbi kurrizet e të tjerëve të kuptojnë se askush nuk kërruset më, pas kësaj pandemie asgjë nuk do të jetë më njësoj, pas kësaj pandemie gjithshka do të Ndryshoj sepse si thonin latinët e urtë:
Respice, adspice, prospice…shiko prapa, shiko ku je, SHIKO PËRPARA!