Rënie e të ardhurave buxhetore, Bekteshi: Ky nuk është skenari më i keq!

Rënia e të ardhurave buxhetore për 13.9% në raport me periudhën e njëjtë të vitit të ardhshëm. Të ardhurat buxhetore tani janë 14.2 miliard denarë. Te të ardhurat tatimore vërehet rënie mujore edhe atë te TVSH prej 14.3%, te akcizat 25%, tatimi në fitim 28.9% dhe tatimi personal prej 10.4%. Rritje është vërejtur vetëm te shpenzimet e importit, prej 7.9%. A do të thotë kjo rënie e ekonomisë apo rënie e standardit ekonomik të qytetarëve? Ministri i ekonomisë, Kreshnik Bekteshi pohon – ky nuk është skenari më i keq!

-Në përputhje me informacionet që i kam si ministër, ne po lëvizim sipas skenarit të parë i cili nuk është skenari më i keq, sa i përket të ardhurave të shtetit. Ne nuk ndalemi këtu, tashmë po realizohen të gjitha masat nga tre setet e para ekonomike. Për momentin po punohet në setin e katërt. Do të definohen sektorët individual ku do të ketë nevojë për mbështetje më të madhe nga ana e shtetit, sigurisht do të bëhen edhe reforma tatimore dhe subvencionim i drejtpërdrejtë i kompanive që do të ishin të guximshme që të investojnë në vitin 2021,- deklaroi Kreshnik Bekteshi, ministër i Ekonomisë.

Duke pasur parasysh përvojën e deritanishme në përballjen me Kovid-19 dhe pasojat që i lë ky fenomen ndaj ekonomisë, Qeveria, siç tha Bekteshi, është e gatshme edhe në të ardhmen të reagojë me masa adekuate. Bekteshi sot ishte mysafir i OEMVP, ku nga ana e kryetarit, Nebi Hoxha i janë prezantuar prioritetet e vendosura nga platforma ekonomike.

Përndryshe, një prej prioriteteve kryesore të Qeverisë së re, siç paralajmëroi kryeministri Zoran Zaev në fjalimin e tij në Kuvend, do të jetë zbutja e pasojave të shkaktuara nga Kovid-19 dhe ruajtja e vendeve të punës.