Rënia e murit të Berlinit dhe konstalacioni i ri global

Shkruan: Xhelal Zejneli

Pas mbarimit të Luftës së Dytë Botërore, d.m.th. më 1945, Gjermania u nda në katër
zona të cilat zotëroheshin prej forcave të armatosura të shteteve – aleate të luftës së sapo
përfunduar: ShBA-së, Britanisë së Madhe, Francës dhe Bashkimit Sovjetik. Në vitin 1949,
zonat që zotëroheshin nga ShBA-ja, Britania e Madhe dhe Franca u bashkuan dhe prej tyre u
themelua Republika Federale Gjermane apo Gjermania Perëndimore.
Ndërkaq, zona e kontrolluar prej Bashkimit Sovjetik u shndërrua në shtet të veçantë –
Republika Demokratike Gjermane ose Gjermania Lindore. Me fjalë të tjera, prej një shteti
gjerman u krijuan dy sish.
Pas mbarimit të Luftës së Dytë Botërore, përkatësisht pas vitit 1947, marrëdhëniet
ndërmjet vendeve të Perëndimit dhe BRSS-së filluan të tensionohen. Me fjalë të tjera, midis
tyre filloi ajo që në historinë politike njihet si luftë e ftoftë. Të dyja palët synonin të zbatonin
politikën e forcimit të pozicioneve vetanake dhe të dobësonin pozicionet e palës
kundërshtare, duke përdorur për këtë qëllim të gjitha masat e mundshme, përpos luftës.
Më 4 prill 1949, ministrat e Punëve të Jashtme të ShBA-së, Britanisë së Madhe,
Belgjikës, Danimarkës, Francës, Islandës, Italisë, Kanadasë, Luksemburgut, Holandës,
Norvegjisë dhe Portugalisë nënshkruan në Uashington një pakt të sigurisë kolektive që u
quajt Organizatë e Paktit Veri-Atlantik (NATO). Në vitin 1952 këtij pakti i aderuan Greqia
dhe Turqia, ndërsa në tetor të vitit 1955 edhe Gjermania Perëndimore. Pakti hyri në fuqi më
25 gusht 1949. Më vonë pakti u zgjerua në 15 shtete (sot i ka 29 shtete).
Më 14 maj 1955, një pakt i ngjashëm u themelua edhe në lindje të kontinentit.
ndërmjet BRSS-së, Polonisë, Çekosllovakisë, Rumanisë, Hungarisë, Bullgarisë, Gjermanisë
Lindore dhe Shqipërisë. U quajt Pakti i Varshavës ose Traktati për miqësi, bashkëpunim dhe
ndihmë të ndërsjellë.

*   *   *

Më 13 gusht 1961 filloi ndërtimi i murit të Berlinit. Thonë se ndërtimi ka zgjatur një
ditë. Ka të dhëna që thonë se ndërtimi i tij ka zgjatur dy ditë. Në të vërtetë, ky mur është
ndërtuar në faza dhe ka zgjatur me vite. Brenda një periudhe 25-vjeçare, rrethoja me tela
gjembash u zëvendësua me mur betoni, me fusha të minuara dhe me kulla vrojtimi. Pas vitesh
ndërtimi në faza, muri i Berlinit ka arritur një gjatësi prej 155 km. Në të ka pasur 302 kulla
vrojtimi.
Muri ka qenë simbol i luftës së ftoftë ndërmjet Lindjes dhe Perëndimit, ShBA-së dhe
BRSS-së, NATO-s dhe Paktit të Varshavës. Muri i Berlinit ka qenë pjesë e perdes së
hekurt midis lindjes së kontinentit dhe perëndimit të tij.
Idenë e ndërtimit të murit e dha Qeveria e Gjermanisë Lindore e Valter
Ulbrihtit (Walter Ulbricht, 1893-1973). Vendimi për ndërtimin e murit u miratua edhe nga
udhëheqësi sovjetik Nikita Hrushçov (1894-1971). Në të vërtetë, muri ishte barrierë e dytë
midis Berlinit perëndimor dhe Gjermanisë Lindore. Me të u mbyll plotësisht kufiri ndërmjet
Berlinit lindor dhe perëndimor. Kufiri ndërmjet dy shteteve gjermane mbeti i mbyllur 28 vjet.

*   *   *

Më 26.06.1963, d.m.th. 22 muaj pas ngritjes së murit të Berlinit, qytetin e vizitoi
presidenti i ShBA-së Xhon Kenedi (John Fitzgerald Kennedy, 1917-1963), me ç‘rast foli
para një mase prej 450 mijë njerëzve. Të tubuarve, Kenedi u tha se ShBA-ja e mbështet
Gjermaninë Perëndimore, e në veçanti Berlinin perëndimor, duke shtuar: “Para 2000 vjetësh
ka qenë krenari të thuhej Civis romanus sum – Unë jam qytetar i Romës. Sot, në botën e lirë,
thirrja që të bën krenar është Ich bin ein Berliner. Ndaj po ju them se edhe unë jam një
berlinas”.

Më 12.06.1987 Gjermaninë Perëndimore e vizitoi edhe presidenti amerikan Ronald
Regan (Ronald Wilson Reagan, 1911-2004). Me këtë rast ai nuk la pa e parë edhe Derën e
Brandenburgut ku qëndroi 26 minuta. Para qytetarëve të tubuar, midis tjerash
thotë: “Sekretar i Përgjithshëm Gorbaçov, po qe se punoni për paqe, për prosperitet të
Bashkimit Sovjetik dhe të Evropës Lindore, po qe se jeni për paqe, prosperitet dhe
liberalizim, ejani te kjo derë! Zoti Gorbaçov, hapeni këtë derë! Zoti Gorbaçov rrëzojeni këtë
mur!”

*   *   *

Muri i Berlinit është shembur pas 9 nëntorit të vitit 1989, përkatësisht në periudhën e
viteve 1989-1990. Shembja e tij shënon fillimin e mbarimit të luftës së ftoftë, gjë që
çoi drejt ribashkimit të Gjermanisë. Më 3 tetor 1990 Gjermania Lindore u bë pjesë e
Republikës Federale Gjermane. Me fjalë të tjera, të dy shtetet gjermane u ribashkuan.
Kryeqytet i shtetit të ribashkuar përsëri u bë Berlini.
*   *   *

Në vitin 1983, presidenti Regan paralajmëroi Nismën e Mbrojtjes Strategjike që u
quajt luftë e yjeve (Star Wars). Ajo kishte të bënte me ndërtimin e satelitëve të luftës që do të
qarkullonin në orbitën e Tokës me qëllim asgjësimi të raketave balistike sovjetike para se ato
të qëllonin shënjestrat e përcaktuara.
Në fushën e armatimit, Bashkimi Sovjetik nuk mund të mbante hapin me ShBA-në.
Pakti Varshavës u shpërbë.
Më 26.12.1991, me Deklaratën 142-H të Presidiumit të Sovjetit Suprem Kombëtar të
BRSS-së, perandoria e kuqe shpërbëhet edhe formalisht. Me deklaratën e sipërthënë u njoh
pavarësia e 12 republikave të Bashkimit Sovjetik. Një ditë më parë, presidenti Mihail
Gorbaçov (1931-) dha dorëheqje, ndërsa kodet e lëshimit të raketave bërthamore ia dorëzoi
presidentit rus Boris Jelcin (1931-2007).
Bashkimi i Republikave Socialiste Sovjetike (BRSS), i themeluar pas Revolucionit të
Madh Socialist të Tetorit (1917) të udhëhequr nga Lenini (Vladimir Iliç Ulanov, 1870 –
1924) ka qenë në realitet perandori e kuqe komuniste e dominuar kryekëput nga rusët.
Ideologjia komuniste, socialiste, marksiste-leniniste dhe internacionaliste s’ka qenë
asgjë më pak se pansllavizëm. Diktatori Josip Stalin (Josip Visarionoviç Xhugashvili, 1879-
1953) i cili nuk ishte rus por gjeorgjian, bashkë me stalinistët e tjerë të tipit
të Brezhnjevit (Leonid Iliç Brezhnjev, 1906 -1982) i kolonizuan, jo vetëm popujt e
Bashkimit Sovjetik, por edhe të gjitha shtetet e Evropës Lindore.
Në të vërtetë, Polonia, Çekosllovakia, Gjermania Lindore, Hungaria, Bullgaria dhe
Rumania, prej vitit 1945 deri në vitin 1991 kanë qenë nën pushtimin e egër rus. Shqipëria u
shkëput nga kthetrat e ariut të veriut në vitin 1961, ndërsa më 1968 nga Pakti i Varshavës
doli edhe formalisht.
Ra muri i Berlinit dhe nuk vonoi shumë ra edhe imperializmi rus, ranë totalitarizmi,
diktatura, tirania, autokracia, despotizmi dhe pansllavizmi bolshevik.
Pas këtij ndryshimi historik popujt morën frymë lirë. Mbi të gjitha – individi.

*   *   *

Pas rënies së murit të Berlinit, ribashkimit të Gjermanisë, prishjes së Paktit të
Varshavës dhe shthurjes së BRSS-së, i erdhi radha edhe Jugosllavisë.
Jugosllavia e pas Luftës së Parë Botërore quhej edhe Jugosllavi e Versajës. Ajo
ishte krijim artificial i Konferencës së Paqes në Paris (1919), e mbështetur kryesisht nga
Franca.

Jugosllavinë e Pashiqit (Nikola Pashiq, 1845-1926) dhe të karagjorgjeviqëve e
quanin edhe burg të popujve, siç e quanin edhe Monarkinë Austro-Hungareze. Me sulmin
gjerman mbi Jugosllavinë, ajo u shemb si një kullë prej letre.
Jugosllavia e pas Luftës së Dytë Botërore u quajt ndryshe edhe Jugosllavi e AVNOJ
it (KAÇKJ). E quanin edhe Jugosllavi e Titos. Ajo nisi të marrë tatëpjetën në vitin 1981, pas
protestave të shqiptarëve në Kosovë dhe në viset e tjera shqiptare të pushtuara.
Edhe Memorandumi i akademikëve serbë (1986) është quajtur nekrolog i
Jugosllavisë së Titos.
Prej 20 deri më 22 janar 1990 në Qendrën Sava të Beogradit u mbajt Kongresi XIV i
jashtëzakonshëm i LKJ-së (Lidhjes së Komunistëve të Jugosllavisë). Gjatë zhvillimit të
punimeve të tij u ballafaquan konceptet e delegatëve të Lidhjes së Komunistëve të Sllovenisë
si dhe atyre të Lidhjes së Komunistëve të Serbisë. Përfaqësuesit sllovenë
kërkuan konfederalizimin e Partisë dhe të shtetit, ndërsa përfaqësuesit serbë ngulën këmbë
për centralizimin e Jugosllavisë. Asnjë propozim i delegatëve sllovenë nuk u pranua nga
delegatët serbë. Propozimet serbe ndërkaq, u miratuan me “shumicë” votash. Boshti Shkup-
Beograd-Titograd (Podgoricë) ekzistonte natyrshëm. Nën trysninë e Beogradit, anën e
Millosheviqit e mbanin rëndom edhe delegatët e Bosnjës dhe Hercegovinës si dhe të
Vojvodinës.
Në një rast, votimi nuk rezultoi sipas skenarit serb, për arsye se, krahas delegatëve të
Kosovës, edhe ata të BH-së u rreshtuan në një vijë me ata të Sllovenisë dhe të Kroacisë. Njëri
prej komunistëve maqedonas – Vasil Tupurkovski (1951-) u ngjit në podium dhe me
zemëruar konstatoi: “Fitoi koalicioni joparimor” (Pobedila je neprincipijelna koalicija). Me
fjalë të tjera, rreshtimi i delegatëve të Kosovës përbri atyre të Sllovenisë dhe të Kroacisë, për
Tupurkovskin paraqiste koalicion joparimor!!
Në natën e 22 janarit, pas dy ditë pune dhe konfliktesh verbale të ashpra, delegatët
sllovenë e lëshuan sallën e kongresit.
Kërkesës së komunistit serb Millosheviqit që Kongresi të vazhdojë punën edhe pa
delegatët sllovenë, iu kundërvunë ashpër delegatët kroatë, duke thënë se po qe se ndodh një
gjë e tillë, edhe ata do ta lënë sallën.
Me këtë, pas 45 vjet udhëheqjeje, Lidhja e Komunistëve të Jugosllavisë u zhbë si
flluskë sapuni. Epilogu i këtillë i Kongresit ishte vendimtar për shthurjen e Jugosllavisë së
AVNOJ-it.
Më 25.06.1991 Lubjana shpalli Deklaratën e pavarësisë.
Pasoi lufta 10-ditëshe e APJ-së (Armatës Popullore të Jugosllavisë) kundër njësive
territoriale sllovene. Më pas, Beogradi tha: “Meqë në  Slloveni nuk ka serbë, ajo edhe mund
të shkëputet nga Jugosllavia”.
Menjëherë pas Sllovenisë, në qershor 1991, pavarësinë e shpalli edhe Kroacia, gjë që
hyri në fuqi më 8.X.1991. Me arsyetimin se në Kroaci jetojnë 580.000 serbë, APJ, e
komanduar kryesisht prej gjeneralëve serbë, si dhe njësitë paramilitare serbe, u vunë në
veprim për ta parandaluar shkëputjen e saj. Nga fundi i vitit 1991, pas një lufte të ashpër
ndërmjet Kroacisë dhe forcave serbe, de facto Serbisë, një e treta e territorit kroat mbeti
jashtë kontrollit të Zagrebit.
Më 15.01.1992, me angazhimin e Gjermanisë, vendet anëtare të BE-së e njohën
Kroacinë si shtet të pavarur.

*  *   *

Rrugën e shkëputjes nga amalgama e sllavëve të jugut e mori edhe Kosova. Më 2
korrik 1990 deputetët e Kuvendit të Kosovës shpallën “Republikën e Kosovës në kuadër të
Federatës Jugosllave”. Më 7 shtator 1990 deputetët e Kuvendit të Kosovës u mblodhën në
Kaçanik dhe miratuan Kushtetutën e Kosovës, e cila e sanksiononte “Republikën e Kosovës
si një shtet demokratik të popullit shqiptar dhe të pakicave kombëtare”. Ndërkaq, prej 26

deri më 30 shtator 1991 u mbajt referendumi mbi pavarësinë e Kosovës. Rezoluta mbi
pavarësinë dhe sovranitetin e Kosovës u miratua njëzëri nga votuesit.
Nga fundi i vitit 1994 i filloi veprimet Ushtria Çlirimtare e Kosovës. Nga marsi i
vitit 1998, veprimet e armatosura të UÇK-së morën pamjen e një lufte të vërtetë çlirimtare.
Më 6 shkurt 1999, me nismën e Grupit të Kontaktit për Jugosllavinë, në
kështjellën Rambuje afër Parisit filluan bisedimet shqiptaro-serbe për zgjidhjen e krizës.
Ndërmjetësues apo moderatorë ndërkombëtarë ishin: diplomati i ShBA-së Kristofer
Hill (Christopher Robert Hill, 1952-); diplomat austriak me prejardhje sllovene, i cili
përfaqësonte BE-në Volfgang Petriç (Wolfgang Petritsch, 1947-) dhe Boris Majorski i cili
përfaqësonte Federatën Ruse.

Projekti i marrëveshjes që duhej të arrinin palët në bisedime, i hartuar nga ShBA-ja,
përmbante:

– Kosova do të mbetej pjesë e Jugosllavisë federale, por do të gëzonte një “autonomi
substanciale;
– Në Kosovë do të organizoheshin zgjedhje demokratike, ndërsa çështja e pavarësisë
do të diskutohej pas tre vjetësh;
– Për të garantuar zbatimin e marrëveshjes, në Kosovë do të vendoseshin forcat e
NATO-s.

Udhëheqësit serbë nuk e pranuan marrëveshjen. Në fund të shkurtit, d.m.th. pas 17
ditëve, bisedimet dypalëshe, me tertium interveniens – u ndërprenë. Dështimi i tyre tregoi se
çështja e Kosovës nuk mund të zgjidhet në rrugën paqësore. Sapo rifilluan bisedimet, në
Kosovë shpërthyen luftimet.
Më 19 mars 1999, delegacioni shqiptar e nënshkroi marrëveshjen, kurse serbët e
hodhën poshtë.
Në mars të vitit 1999, diplomati amerikan Riçard Hollbruk (Richard Holbrooke,
1941-2010) u takua për herë të fundit me Sllobodan Millosheviqin (1941-2006) në Beograd
dhe ia ofroi këtij rastin e fundit që ta pranojë Marrëveshjen e Rambujesë, sipas së cilës:

– Kosova do ta rifitonte autonominë e humbur;
– UÇK-ja do të çarmatosej; ndërsa
– në Kosovë do të vendoseshin forcat paqeruajtëse të NATO-s.

Zjarrvënësi i Ballkanit e refuzoi diplomatin amerikan.
Më 22 mars 1999 forcat serbe nisën ofensivën e madhe të spastrimit etnik dhe brenda
një kohe të shkurtër dëbuan nga Kosova rreth një milionë shqiptarë, të cilët u vendosën
kryesisht në Shqipëri dhe në Maqedoni.
Më 23 mars 1999 NATO-ja filloi fushatën e bombardimeve në Kosovë dhe në Serbi,
që zgjatën 78 ditë, përkatësisht deri në 11 qershor 1999. Më 10 qershor 1999 forcat pushtuese
ushtarake serbe nisën tërheqjen nga Kosova. Po atë ditë, Këshilli i Sigurimit i OKB-së
miratoi rezolutën e cila parashikonte vendosjen e forcave ndërkombëtare në Kosovë. Më 12
qershor 1999 u vendosën në Kosovë Forcat Ushtarake të NATO-s (KFOR). Që nga ky
moment, Kosova u vu nën administrimin e OKB-së.
Më 10 qershor 2007 e vizitoi Shqipërinë presidenti amerikan Xhorxh Bush (George
Walker Bush, 1946-) dhe që andej paralajmëroi shpalljen e pavarësisë së Kosovës. Më 17
shkurt 2008 Kuvendi i Kosovës e shpalli pavarësinë.
*   *   *

Në kohën e luftës së ftoftë Bashkimi Sovjetik, krahas ShBA-së, iu imponua botës si
superfuqi. Rënia e murit të Berlinit, ribashkimi i Gjermanisë, shpërbërja e Paktit të Varshavës
dhe zhbërja e Bashkimit Sovjetik determinuan ndryshimin e raportit të forcave, si në Evropë,
ashtu edhe në planin global. Në rrafshin politik, ekonomik dhe ushtarak krijohet
një konstelacion i ri.
Nga shpërbërja e BRSS-së doli një Rusi e dobët dhe e pakonsoliduar. Në planin
global superfuqi mbeti vetëm ShBA-ja. Gjermania e ribashkuar bëhet fuqia e katërt
ekonomike në botë, duke marrë në BE edhe rolin udhëheqës. Sot, Rusia e Vladimir
Putinit (1952-) synon të forcohet. Megjithëkëtë, në planin global ajo ka rol dhe ndikim
politik, ekonomik dhe ushtarak të reduktuar.
Shqiptarët në Ballkan, duke mos qenë popull sllav, janë aleatë të natyrshëm të ShBA-
së dhe të gjermanëve. Fundi i shekullit XX dhe fillimi i shekullit XXI paraqet forcimin e
faktorit pro-shqiptar.
Shpërbërja e BRSS-së ndërkaq dhe dalja prej saj e një Rusie të pakonsoliduar,
paraqiste dobësimin e faktorit pro-serb.
Gjermania e ribashkuar dhe e fuqishme si dhe ShBA-ja si fuqi e vetme në planin
global, shkojnë në favor të kauzës shqiptare. Ndërkaq, shpërbërja e BRSS-së dhe dalja prej
saj e një Rusie të pakonsoliduar nuk shkonin në favor të ideologjisë serbomadhe.
Fundi i shekullit XX dhe fillimi i shekullit XXI paraqet një fazë historike – të
papërsëritshme për kombin shqiptar në gadishull – për ta zgjidhur çështjen kombëtare,
historikisht të drejtë.
Shqiptarët në Ballkan janë sferë interesi dhe zonë ndikimi e Perëndimit.

* * *

KONFERENCA E RAMBUJESË – I filloi punimet më 6 shkurt të vitit 1999. Ky
takim, i cili u mbajt në afërsi të Parisit, synoi zgjidhjen e krizës në Kosovë.
Nismëtare e konferencës, që zgjati deri më 23 shkurt, ishte Grupi i Kontaktit, ndërsa
ndërmjetës ndërkombëtarë ishin Kristofer Hill nga SHBA, Volfgang Petric nga BE-ja dhe
Boris Majorski nga Rusia.
Pjesëmarrësit kosovarë dhe grupet e punës në Konferencë e Rambujesë
Logjistikën e pjesëmarrësve dhe udhëtimin e delegacionit shqiptar për në Rambuje e
kanë organizuar ambasadori Zhak Uncinger, ambasadori Gabriel Keller dhe sekretari i
Ambasadës Franceze në Beograd Timotje.
Delegacioni i Kosovës përbëhej prej katërmbëdhjetë anëtarëve. Të gjithë
pjesëmarrësit janë caktuar nga ndërkombëtarët.
Delegacioni kosovar përbëhej nga UÇK-ja, nga LDK-ja, nga Lëvizja e Bashkuar
Demokratike (LBD), nga Kuvendi i Kosovës, nga Qeveria në egzil dhe nga të pavarurit.
Nga UÇK-ja: Hashim Thaçi, Xhavit Haliti, Azem Syla, Jakup Krasniqi, Ramë Buja;
Nga LDK-ja: Ibrahim Rugova, Fehmi Agani, Edita Tahiri;
Nga LBD-ja: Rexhep Qosja, Hydajet Hyseni, Mehmet Hajrizi, Bajram Kosumi ;
Nga Kuvendi i Kosovës: Idriz Ajeti;
Nga Qeveri në egzil: Bujar Bukoshi;
Të pavarurit: Veton Surroi, Blerim Shala.
* * *

Grupet e punës
Grupi politik: Fehmi Agani, Jakup Krasniqi, Mehmet Hajrizi dhe Blerim Shala.
Grupi për mbrojtje dhe siguri: Azem Syla, Xhavit Haliti, Edita Tahiri, Jakup
Krasniqi dhe Hydajet Hyseni.

Grupi për hartimin e platformës së përbashkët: Rexhep Qosja, Edita Tahiri, Veton
Surroi, Bujar Bukoshi, Idriz Ajeti.
Grupi për ekonomi: Ramë Buja, Bujar Bukoshi, Bajram Kosumi dhe Mehmet
Hajrizi.
Sekretariati për informim dhe çështje teknike: Ramë Buja, Adnan Merovci,
Skender Hyseni dhe Dukagjin Gorani.

* * *

Përfaqësuesi politik i UÇK-së, Adem Demaçi (1936-2018), e bojkotoi Konferencën.

Xhelal Zejneli