Rekrutimi i “analistëve” infantilë

Shkruan: Shkëlzen Halimi

Sistemet e kontrollit nuk “prodhojnë” individë të sinqertë, me ideale, individë që do ta kuptojnë të vërtetën. Këtyre sistemeve u nevojiten individë të besueshëm, që s’mendojnë, por që nuhasin dhe përgjojnë. Pikërisht këta, ditë e natë, u raportojnë shefave të vegjël dhe këta atyre të mëdhenjve, të cilët, pa u hetuar nga të përgjumurit, e shtrijnë kontrollin gjithandej ku gjejnë hapësirë, në veçanti në institucionet ku figuron prezenca e shqiptarit. Nuhatësit dhe përgjuesit i denoncojnë “tradhtarët” e idealit të partisë, përkatësisht ata që nuk përfillin “mendimin” unik të partisë dhe kjo formë veprimi jo vetëm që po polarizon shoqërinë shqiptare, por po i atakon segmentet më vitale që i japin përmbajtje identitetit të shqiptarëve: kulturën dhe arsimin.

Sistemi i kontrollit, me energjinë e padiskutueshme të manipulimit, lehtë i fiton betejat me “kundërshtarët” e partisë, duke injektuar mjete financiare në tregun e shit-blerjes së mediumeve, lakmitarëve që vijnë nga oponenca, nga strukturat universitare, blejnë të ashtuquajtur gazetarë e kështu me radhë, por edhe duke rekrutuar “analistë” infantilë dhe të bezdisshëm, të cilët nuk posedojnë as kapacitetet minimale për “rolin” që marrin. Analistomania u bë një trend qesharak, që plotëson hapësirat boshe të mediumeve, por njëkohësisht duke prodhuar edhe situata komike-tragjike, sepse shumica prej tyre nuk e kuptojnë se janë shndërruar në palaço, krejt kjo vetëm për ndonjë “asht” që ndan partia për ta ruajtur atë më të shenjtën – pushtetin.

Natyrisht, pati edhe shumë të tillë që vullnetarisht iu dorëzuan sistemit të kontrollit partiak, sepse vuanin nga sëmundja e të qenët “i pari në katund”. Një mediokritet i tillë është e pamundur të prodhojnë kreativitet dhe objektivitet në qasjen kritike ndaj vërshimit të dukurive që e përafrojnë njeriun tonë pranë gjendjes së zombit. Kjo, siç do të tregojë koha, do të mundësojë që elitat politike të shtrijnë kontrollin edhe atje ku shpresohej se ekzistojnë vatrat e rezistencës. Ndërkaq, në rrafshin e idealit, shoqëria shqiptare, e cila është thyer në çdo pikëpamje, ende nuk është regjistruar as në kopshtin e fëmijëve.