Shpella nënujore “Vrelo”, në kanionin e Matkës, është shpallur shpella nënujore më e thellë e eksploruar në botë, pasi zhytësit arritën thellësinë rekord prej 338 metrash gjatë ekspeditës “Vrelo 2026”.
Në ekspeditë, e zhvilluar nga 10 deri më 17 tetor, morën pjesë 15 zhytës nga Maqedonia e Veriut, Polonia dhe Italia. Gjatë hulumtimeve u vendosën tre rekorde botërore dhe u zbuluan dy kanale të reja, me mbi 150 metra gjatësi të eksploruar.
Zhytja rekord u realizua nga polaku Bartłomiej Pitala, në një operacion që zgjati nëntë orë dhe u mbështet nga ekipe të specializuara sigurie.
Me këtë arritje, Vrelo kaloi nga vendi i tretë në të parin në renditjen botërore, duke e afirmuar Matkën si një lokacion të rëndësishëm për eksplorimin e shpellave nënujore.





