“Regjistrimi”, Snopçe: Grubi dhe Osmani të mos sillen si manekinë në sfilata mode

Deputeti i ASH-së Alil Snopçe këmbëngul që të mos politizohet procesi i regjistrimit të popullatës. Ai madje kritikon ashpër veprimet e zëvendëskryeministrit Artan Grubi dhe ministrit të jashtëm Bujar Osmani, duke i quajtur “manekinë që sillen sikur në sfilatë mode”. Ai madje shprehet se sa më pak që të paraqiten në publik Grubi dhe Osmani dhe të flasin për regjistrimin aq më shumë mërgimtarë do të regjistrohen, në të kundërtën paraqitja e tyre irriton mërgimtarët.

“Ne themi se nuk duhet të politizohet kjo çështje. Ja imagjinoni del Artan Grubi ditën e djeshme dhe thotë se unë kam kërkuar nga Albin Kurti që të bëjë ftesë mërgatës për regjistrim, ai përsëri dëshiron të përvetësoj diçka që nuk është e vërtetë. Nuk është çudi që nesër të del dhe të thotë se edhe Bajdeni që ka dhënë deklaratën për Kosovën, e kam çuar unë. Këto janë deklarata joserioze, irritojnë masën. Puna e regjistrimit nuk është sfilatë mode, ku do të defilojnë disa manekinë, sikur që është Artani, pastaj del Bujari e kështu me radhë. Unë bëj ftesë edhe ndaj atyre sa më pak të dalin, të paraqiten ato, aq më shumë do të dalin njerëzit, ja ju bindi. Mos politizohet kjo çështje”, tha Snopçe./Alsat