Regjistrimi i popullsisë, dy sulme të hakerëve ndaj sistemit

Drejtori i Entit Shtetëror për Statistikë Apostol Simovski thotë se ueb faqja e tyre është nën sulm të përhershëm të hakerëve dhe se ka pasur dy përpjekje për ndërhyrje të hakerëve, në sistemin e regjistrimit, të cilat me sukses janë mënjanuar.

“Gjatë gjithë kohës është mënjanuar ueb faqja jonë. Me siguri qëllimi është shfrytëzuesit të mos jenë në mundësi t’i ndjekin informatat tona. Në dy raste kemi pasur përpjekje për sulme të hakerëve në vetë procesin e regjistrimit, por edhe të dyja me sukses janë mënjanuar. Nuk është shkaktuar kurrfarë dëmi. Nuk kam njohuri prej ku janë, por e di që sot mund të bëhet përpjekje e tillë prej kudo qoftë, ndërsa të mos e dini prej ku vijnë sulmet”, theksoi Simovski mbrëmë në emisionin “24 analiza” në TV 24.

Ai tha se ka grupe të cilat duan ky proces të mos ketë sukses dhe publikisht u bëjnë thirrje qytetarëve të mos regjistrohen por, siç thotë, nuk mund të kuptojë pse këto grupe janë kundër regjistrimit.

Sipas Simovskit, kurrfarë subjekti politik nuk ka kryer presion ndaj tyre si të zbatohet regjistrimi.

Njeriu i parë i ESHS-së thotë se deri tani më shumë se 600.000 qytetarë janë regjistruar. “Jam i kënaqur, por nuk më bën rehat dhe nuk do të jem rehat deri në ditën e fundit të regjistrimit”, potencoi Simovski.

Sipas tij, vetëm dje janë regjistruar mbi 100.000 qytetarë. “Me këtë tempo regjistrimi do të përshpejtohet dhe pres në kohë t’i përfundojmë punët”, shton Simovski.