Refuzimi i administratorëve shqiptarë, Aziri: Grubi dekor në Qeveri (Video)

Drejtori i Inspektoratit të tregut Stojko Puanovski, nuk e nënshkruan sistematizimin e 35 administratorëve shqiptarë në institucionin që drejton, edhe pas thirrjes së kryeministrit Zoran Zaev dhe zëvendësit të tij Artan Grubi, shkruan gazeta LAJM. Ndaj këtij vendimi ka reaguar deputeti i ASH-AAA-së, Elmi Aziri, i cili ka thënë se ky veprim i drejtorit maqedonas dëshmon se Artan Grubi dhe ministrat tjerë shqiptarë janë vetëm dekor i Qeverisë, pa fuqi politike.

“Unë prita të më pyesni për rolin e kryeministrit shqiptar. Është si i kryeministrit të parë, si i zëvendës kryeministrit të parë janë një “make up” i qeverisë, nuk kanë asnjë peshë politike. Po dëshmohet edhe me rastin e administratorëve që u përmend në pyetjen e fundit, u dëshmua edhe me 100 ditëshin e parë të qeverisë kur ne e kishim debatin parlamentarë dhe kur i numëruam në mënyrë taksative të gjitha premtimet për 100 ditëshëm e parë dhe 6 mujorëshin e parë dhe asgjë nga ata nuk ndodhi. Fatkeqësisht po themi janë një “make up” veçanërisht një argument që e përdorin partitë maqedonase para faktorit ndërkombëtarë për të thënë, ja kemi edhe politikan shqiptarë në qeveri dhe gjithçka është në rregull. Pra, ata janë pa asnjë fuqi. Nuk është hera e parë që ne jemi dëshmitarë të pafuqisë politike të BDI-së dhe eksponentëve të tyre dhe ne i kemi thënë edhe më herët, jo vetëm tani që problemet nuk zgjidhen me shou mediatik. Problemet nuk zgjidhen me komponimin apo montimin e spoteve publicitare në Facebook, por çështjet zgjidhen me vendosmëri politike. Nuk është hera e parë që administrator të niveleve më të ulta të hierarkisë administrative nuk i përfillin vendimet e Qeverisë sa i takon shqiptarëve, veçanërisht nuk i përfillin vendimet e ministrave të BDI-së”, tha Elmi Aziri, deputeti i koalicionit opozitar ASH-AAA./Gazeta LAJM