Real Madridi ndryshon prioritetet – transferimi i Davies më nuk është opsion, tani ka një emër tjetër

Real Madridi ishte lidhur fortë me transferimin e mbrojtësit kanadez Alphonso Davies së fundmi, teksa shumë persona prisnin që ai të mbërrinte në ‘Santiago Bernabeu’ në verë. Sidoqoftë, kjo duket tani thuajse e pamundur, sipas një raportimi nga Spanja.

Davies nuk e rinovoi kontratën e tij me Bayern Munichun, dhe me vetëm një vit të mbetur në të, raportohej se ai ishte pajtuar mbi kushtet personale me ‘Los Blancos’. Bayerni e kishte bërë të qartë publikisht se nëse Davies nuk rinovon, atëherë ai do të shitet në verë.

Real Madridi në anën tjetër po synonte që ta transferonin atë me një çmim të ulët diku rreth 30-40 milionë euro këtë verë, por Relevo ka zbuluar se kontaktet mes Davies dhe Real Madridit janë ftohur në javët e fundit.

Ka një arsye të fortë pse është bërë një ndërrim i prioriteteve tek Real Madridi. Performancat e Ferland Mendy, kanë kënaqur drejtuesit e klubit dhe ai me këtë mund t’i fitojë vetes një kontratë të re, ani pse ka disa persona brenda klubit që mendojnë se ai duhet të shitet.

Krahas formës së Mendyt, lëndimi i rëndë që ka pësuar David Alaba dhe largimi i mundshëm i Nachos, ka bërë që fokusi i tyre të përqëndrohet tek blerja e mbrojtësit francez Leny Yoro këtë verë.

18-vjeçari, për të cilin Real Madridi është interesuar dhe e ka përcjellur tash e disa muaj, është bërë një objektiv kryesor për klubin, teksa po synojnë që të transferojnë një tjetër talent të futbollit në radhët e tyre.

Yoro ka edhe një vit të mbetur në kontratën e tij me Lille dhe është i etur që të largohet, dhe duket se këtë do ta bëjë gjatë kësaj vere.

Ndërkohë sa i përket çështjes së Davies, në rastin më të keq të mundshëm për madrilenët, ai mund të qëndrojë në Gjermani edhe një sezon tjetër, dhe më pas të transferohet në Spanjë sezonin vijues si lojtar i lirë.