Reagon Pogba pas kthimit të Ronaldos në Manchester United

Paul Pogba e ka mirëpritur kthimin e Cristiano Ronaldos në Manchester United dhe ka thënë se mezi pret të punojë me, siç e quajti, më të mirin.

Në njërin prej transferimeve më të mëdha në historinë e Premierligës, sulmuesi 36-vjeçar u kthye në vendin ku bëri emër, raporton Gazeta Express.

Ronaldo iu ribashkuar Manchester Unitedit nga Juventusit për 23 milionë euro të premten. Superylli portugez nënshkroi marrëveshje dyvjeçare me djajtë e kuq, me mundësi vazhdimi për edhe një vit tjetër.

36-vjeçari pritet ta bëjë debutimin e dytë për Unitedin të shtunën kundër Newcastle dhe Pogba pret që prania e tij ta rrisë standardin kolektiv në Old Trafford.

“Gjithmonë është kënaqësi të luash me më të mirin. Është një plus për lojtarët të jenë në gjendje të stërvitin me një lojtar të madh. Ai do ta rrisë nivelin e ekipit”, tha Pogba për Telefoot.

36-vjeçari i kaloi gjashtë vjet në Old Trafford nga viti 2003 deri më 2009, duke i shënuar 118 gola në 292 ndeshje./Gazeta Express