Reagon familja: Politikanë shqiptarë të Shkupit, pse e harruat emrin e Alush Hamidit?

Pas publikimit të listës me emrat e ndryshuar të rrugëve të Qytetit të Shkupit, ka reaguar familja e atdhetarit, Alush Hamidi. Ata shprehin revoltën e tyre se përse me emrin e prindit të tyre nuk është pagëzuar asnjë rrugë e kryeqytetit.

Në vazhdim ja edhe reagimi i plotë i familjes së Alush Hamidit i postuar në rrjetin social facebook:

Ndjehemi të indinjuar që sot kur u shpallën emrat e ndryshuar të rrugëve të Shkupit, në asnjërën prej tyre nuk figuronte emri i prindit tanë, Alush Hamidi. E kemi patjetër ta theksojmë se nuk kemi vërejtje për asnjë personalitet që gjendet në listë, pasi që të gjithë, pa asnjë përjashtim, kanë meritat e tyre për ngritjen e kombit tonë, por kjo nuk domethënë se nuk ka pasur hapësirë që të paktën në njërën prej rrugëve të Çairit, të qëndronte emri i babait tonë, i cili tërë jetën ia kushtoi ngritjes kulturore e shpirtërore të shqiptarëve të këtij nënqielli. Ndjehemi të zhgënjyer nga ata politikanë, të cilët edhe për së afërmi e kanë njohur prindin tonë. Ata fort mirë e dinë se çfarë ka bërë ai gjatë tërë jetës së tij. Ndërsa për ata që kanë harruar, ja po ju themi se Alush Hamidi ka qenë poet, pedagog, atdhetar, sportdashës, njeri i kulturës… dhe gjitha këto i ka bërë në kohën e komunizmit, atëherë kur për një fjalë goje të zhduknin pa nam e nishan. Pra, kësaj radhe na zhgënjyet shumë! I zhgënjyet edhe të gjithë ata që kishin bindje se emri i tij do të jetësohej në Shkupin dardan. Jua dimë për nder./Shenja